Gazeta polake: Nga frika e arrestimit, Netanyahu nuk do të marrë pjesë në përvjetorin e çlirimit të Aushvicit në Poloni
Ngjarja përkujtimore është planifikuar për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit më 27 janar 2025
Kuds
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka të ngjarë të mos udhëtojë në Poloni për të marrë pjesë në ngjarjen e muajit të ardhshëm që shënon 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic, nga frika e arrestimit sipas një urdhri arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), raportoi gazeta polake "Rzeczpospolita", transmeton Anadolu.
Më 21 nëntor, GJNP-ja lëshoi urdhër arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Sipas lajmit të gazetës, autoritetet izraelite madje nuk kanë kërkuar pjesëmarrjen e kryeministrit në ceremoni, ndërkohë që zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Wladysław Bartoszewski, ka përsëritur angazhimin e vendit për të respektuar vendimet e GJNP-së.
Në ngjarje, në të cilën do të marrin pjesë krerë të shumtë shtetesh, Izraeli ka gjasë të përfaqësohet nga ministri i jashtëm Gideon Saar, tha gazeta.
Përkujtimi kryesor është planifikuar të mbahet më 27 janar 2025, në kampin i cili u krijua nga Gjermania naziste në Poloninë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kampi u çlirua nga forcat sovjetike në të njëjtën datë në vitin 1945, e cila që atëherë është shënuar si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit.
Aushvici, tani një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, u shndërrua në Muzeun Shtetëror Aushvic-Birkenau në vitin 1947, duke shërbyer si një kujtesë e Holokaustit.
Izraeli ka vrarë më shumë se 45.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, në Gaza që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër Gazës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.