Politikë

Hungaria mbështet procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE

Presidenti hungarez, Tamas Sulyok, realizoi një vizitë zyrtare në Serbi dhe u prit nga presidenti Aleksandar Vuçiq

İsmail Özdemir  | 28.10.2024 - Përdıtësım : 29.10.2024
Hungaria mbështet procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE Foto: Amir Hamzagic / AA

Beograd

Presidenti hungarez, Tamas Sulyok, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Serbinë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.

Presidenti Sulyok realizoi një vizitë zyrtare në Serbi dhe u prit në Beograd nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Delegacionet e kryesuara nga Sulyok dhe Vuçiq zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në Pallatin e Serbisë.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit, presidenti hungarez Sulyok tha se do të bëjnë të pamundurën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Ka ardhur koha për të realizuar premtimin e bërë nga BE-ja për shtetet në perëndim të Ballkanit theksoi Sulyok.

"Vështirësitë me të cilat përballemi na prekin të gjithëve. Miqësia dhe bashkëpunimi midis Serbisë dhe Hungarisë është një shembull i mirë i bërë kundër këtyre vështirësive. Stabiliteti afatgjatë në rajon nuk mund të arrihet pa integrimin e Ballkanit në Evropë", tha Sulyok.

Sulyok vuri në dukje se stabiliteti energjetik i Hungarisë nuk mund të arrihet pa Serbinë dhe se të dy vendet janë të varura nga njëri-tjetri në këtë drejtim.

Presidenti hungarez tha se mendojnë pozitivisht për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit hungarez që jeton brenda kufijve të Serbisë dhe se po punojnë për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit serb që jeton në Hungari.


- "Kemi projekte edhe për diversifikimin e furnizimit të burimeve energjetike"

Ndërsa presidenti serb Vuçiq tha se ata jo vetëm që e shohin Hungarinë si një partner politik, por kanë edhe marrëdhënie shumë të mira miqësore.

Vuçiq vuri në dukje se ata kanë shumë projekte strategjike me Hungarinë dhe deklaroi më tej se "Një nga projektet që po kryejmë është treni me shpejtësi të lartë. Ne gjithashtu kemi projekte edhe për sigurinë energjetike dhe diversifikimin e furnizimit të burimeve energjetike. Ne duam të krijojmë një bursë të përbashkët të energjisë elektrike me Hungarinë dhe Slloveninë dhe presim që ajo të jetë funksionale deri në fund të vitit".

Pasi njoftoi se po punohet për përfundimin e linjës së trenit të shpejtë ndërmjet Beogradit dhe Budapestit, Vuçiq tha se nuk do të ketë ndalesa në kufi kur të përfundojë projekti dhe udhëtimi do të zgjasë 2 orë e 40 minuta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın