Riyaz Khaliq Khaliq
05 Korrik 2023•Përditësim: 05 Korrik 2023
Kina ka kritikuar shitjet e reja të armëve amerikane në Tajvan, duke njoftuar se ka dërguar protestë në Washington, transmeton Anadolu.
Zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Tan Kefei, tha se Kina kundërshton me vendosmëri shitjet e armëve nga SHBA-ja në Tajvan.
Reagimi i menjëhershëm i Pekinit erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit javën e kaluar miratoi dy shitje të veçanta të mundshme të armëve dhe mbështetjes logjistike prej rreth 440 milionë dollarë për Tajvanin.
“SHBA injoron shqetësimet thelbësore të Kinës, ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe qëllimisht përshkallëzon tensionet në ngushticën e Tajvanit”, tha Tan.
Sipas tij, shitja e armëve është e barabartë me përshpejtimin e transformimit të Tajvanit në një "fuçi baruti". Ai shtoi se kjo e shtyn popullin tajvanez në humnerën e katastrofës.
Kina e konsideron Tajvanin si provincë të saj të shkëputur, ndërsa Tajvani ka këmbëngulur për pavarësinë e tij që nga viti 1949.
Duke i kërkuar Washington-it që t'i përmbahet parimit "një Kinë" dhe dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, Tan tha se SHBA-ja duhet "të ndalojë menjëherë shitjen e armëve për Tajvanin, të ndalojë çdo formë të marrëveshjes ushtarake SHBA-Tajvan dhe të përmbushë angazhimin e saj për të mos mbështetur pavarësinë e Tajvanit”.