Amir Latif Arain
17 shtator 2026•Përditësim: 17 shtator 2026
Koreja e Veriut ka dënuar Asamblenë e Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), e cila diskutoi për denuklearizimin e vendit, duke thënë se statusi i saj si shtet me armë bërthamore është "i pakthyeshëm", raportuan sot mediat shtetërore, transmeton Anadolu.
Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cilësoi thirrjet për çnuklearizimin në sesionin e 70-të të rregullt të Konferencës së Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, në kryeqytetin austriak Vjenë, si "fjalë të njohura të pakuptimta", raportoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.
"Pozicioni i DPRK-së si shtet me armë bërthamore është i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshohet nga asgjë", tha ajo, duke iu referuar Republikës Popullore Demokratike të Koresë, emri zyrtar i Koresë së Veriut.
Asambleja e Përgjithshme shprehu shqetësim për zgjerimin e kapaciteteve bërthamore të Koresë së Veriut, duke i bërë thirrje Phenianit të braktisë programin e tij të armëve bërthamore në mënyrë "të plotë, të verifikueshme dhe të pakthyeshme", në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Motra e liderit të Koresë së Veriut i hodhi poshtë thirrjet duke i cilësuar ato si "zhurma, që nuk janë as befasuese dhe as të reja".
"Pavarësisht se sa dëshpërimisht IAEA-ja dhe Perëndimi mund të zhvillojnë takime periodike dhe të flasin për denuklearizimin sipas skenarit të përcaktuar, ato nuk mund të kenë asnjë ndikim mbi vullnetin dhe aftësinë e DPRK-së për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat supreme të shtetit", tha ajo.
"Realiteti në të cilin statusi bërthamor i DPRK-së është vendosur në mënyrë të përhershme, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë ligjor, nuk mund të ndryshojë as edhe pak. Asnjë person dhe asgjë nuk mund të ndryshojë kurrë ndryshimet thelbësore në fuqinë dhe pozitën e DPRK-së dhe as t'i pengojë ato në të ardhmen", shtoi Kim Yo Jong.