Riyaz Khaliq Khaliq
18 mars 2024•Përditësim: 18 mars 2024
Koreja e Jugut dhe Japonia njoftuan se Koreja e Veriut lançoi të paktën tre raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, që është rasti i dytë këtë vit që lançohen ky lloj raketash, transmeton Anadolu.
Zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut thanë se Pheniani lëshoi raketat të cilat fluturuan rreth 300 kilometra në drejtim të Detit Lindor.
Ata thanë se trajektorja e raketave ishte "e ngjashme me KN-24", një raketë balistike me lëndë djegëse të ngurtë me një rreze veprimi deri në 410 km dhe një ngarkesë prej 400-500 kilogramë.
Ushtria e Koresë së Jugut gjithashtu njoftoi se pasi zbuloi dhe gjurmoi raketat, ndau informacionin me autoritetet amerikane dhe japoneze, ndërsa lançimin e raketave e quajti një "provokim të qartë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean".
Këto zhvillime vijnë teksa Seuli është nikoqir i Samitit të tretë të Demokracisë, në të cilin merr pjesën edhe kryediplomati amerikan Antony Blinken.
Pheniani kishte lëshuar një raketë të re lundrimi tokë-det, të quajtur Padasuri-6, nga bregu i tij lindor më 14 shkurt, ndërsa raketën e parë balistike këtë vit e lëshoi më 14 janar.