Fatjon Cuka
04 Mars 2019•Përditësim: 05 Mars 2019
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë (KQZ) vendosi sot të zëvendësojë disa mandate parlamentare pas dorëheqjeve të deputetëve opozitarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ky institucion vendosi të zëvendësojë katër mandate të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kandidatët e radhës në listën emërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).
Sipas njoftimit nga KQZ, Edmond Rrushi dhe Ylli Shehu marrin mandatin për Qarkun e Tiranës, Aurora Mara për Qarkun e Dibrës dhe Enver Roshi për Qarkun e Elbasanit. Pasi të betohen në seancën plenare, deputetët e rinj fillojnë zyrtarisht detyrën.
KQZ në javët e ardhshme pritet të vazhdojë me procedurat dhe mënyrat sesi do të realizohet plotësimi i mandatave parlamentare.
Kujtojmë se deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE).
Gjatë muajt shkurt, partitë opozitare kanë organizuar disa protesta në Tiranë që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme.