Malik Hasa
06 Janar 2017•Përditësim: 07 Janar 2017
TIRANË (AA) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë (KQZ) në mbledhjen e zhvilluar sot ka zëvendësuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, pas heqjes së mandatit dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, raporton Anadolu Agency (AA).
Flamur Çelaj ka marrë mandatin e deputetit nga KQZ në Qarkun e Vlorës, duke zëvendësuar Shkëlqim Selamin pasi ishte kandidati i radhës në listën e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërsa deputeti i dytë që zëvendëson Dashamir Tahirin është Edmond Zejno, po në Qarkun e Vlorës, nga lista e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) më 29 dhjetor të vitit të kaluar vendosi që të heq mandatin e deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, me arsyetimin se nuk kanë deklaruar në formularët e vetëdeklarimit dënime dhe ndjekjet penale në disa shtete të Bashkimit Evropian, ndërsa do të bëhet zëvendësimi i tyre.
Deputetët e rinj do të bëjnë betimin në seancën e parë të Kuvendit për këtë vit.