Büşra Nur Bilgiç Çakmak
13 janar 2021•Përditësim: 13 janar 2021
Lideri opozitar rus, Alexei Navalny, sot bëri të ditur se planifikon të kthehet në vendin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
"Unë do të kthehem në shtëpi më 17 janar", shkroi ai në Twitter.
Shtatorin e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, tha se udhëheqësi i opozitës është i lirë të kthehet në Rusi në çdo kohë.
Navalny, 44-vjeçar, një kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmur gushtin e kaluar në një fluturim për në Moskë.
Pas një ulje emergjente në Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital para se të dërgohej në Berlin për mjekim. Tani është në Gjermani.
Pas testimeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë theksuan se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në një sulm të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.
Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje në këtë rast dhe pretendojnë se armët kimike nuk janë zhvilluar ose prodhuar nga Rusia që kur raundi i fundit kimik u shkatërrua në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.