Stipe Mayiç
23 Dhjetor 2015•Përditësim: 24 Dhjetor 2015
ZAGREB (AA) - Pas takimit të mbajtur mes lëvizjes Most dhe koalicionit Patriotik, u bë publik emri i mandatarit të ri i cili do të konfirmohet sot pas konsultimeve me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç. Bëhet fjalë për biznesmenin dhe personin apartiak Tihomir Oreshkoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Tihomir Oreshkoviç, ish drejtori i Pliva-s, tani vepron në Teva që nga viti 2005, ku ai shërbeu si Drejtor i përgjithshëm Financiar i Teva Kanada. Ndërsa në vitin 2010 emërohet si Drejtor i përgjithshëm financiar për rajonin e Evropës Lindore, Mesdheut, Izraelit dhe Afrikës.
Karamarko, pas takimit tha se Oreshkoviç është një njeri me përvojë të madhe në aktivitetet ekonomike dhe personi që më së miri do të ndihmojë Kroacinë në këtë situatë të vështirë ekonomike.
Petrov tha se qeveria do të formohet nga propozimet e dy koalicioneve dhe se ministrat para së gjithash do të zgjedhen sipas profesionalizmit të tyre.
"Në këtë moment Kroacia është mbi të gjitha", tha Petrov duke iu referuar situatës së vështirë ekonomike në vend.
As Petrov dhe as Karamarko nuk deshën të japin emra tjerë që do të zgjedhen në poste të larta shtetërore, duke shtuar se për këto çështje do të vendosin në bisedimet e mëtejshme.
Pas publikimit të emrit të kryeministrit të ri, krerët e dy koalicioneve u drejtuan në rezidencën presidenciale në raundin e katërt të konsultimit me presidenten, e cila pritet që më vonë të konfirmojnë nënshkrimet e arritura mes koalicioneve të cilat do të formojë qeverinë e ardhshme kroate.
Bëhet fjalë për të paktën 78 nënshkrime që janë mbledhur gjatë marrëveshjes së dy koalicioneve.
Koalicioni "Kroacia po Rritet" pritet që në mandatin e ardhshëm të qeverisë së re, të mbetet në opozitë.