Kryeministri britanik: Mbështetja ndaj Ukrainës është vetëm për vetëmbrojtje
"Është proporcionale... një përgjigje ndaj veprimeve të vetë Rusisë dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në bazë të nenit 51 të Kartës së OKB-së. Ukraina ka një të drejtë të qartë të vetëmbrojtjes kundër sulmeve të paligjshme të Rusisë"
Birmingham
Mes raporteve se Ukraina lëshoi raketa britanike në territorin rus, kryeministri britanik, Keir Starmer, në Dhomën e Komunëve ka deklaruar se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës është vetëm për vetëmbrojtje, transmeton Anadolu.
"Ne kemi thënë vazhdimisht se do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbështetur Ukrainën dhe në dimër për ta vendosur atë në pozicionin më të mirë të mundshëm. Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën është gjithmonë për vetëmbrojtje", tha ai.
"Është proporcionale, e koordinuar dhe e shkathët dhe një përgjigje ndaj veprimeve të vetë Rusisë dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në bazë të nenit 51 të Kartës së OKB-së. Ukraina ka një të drejtë të qartë të vetëmbrojtjes kundër sulmeve të paligjshme të Rusisë", shtoi ai.
Komentet e kryeministrit britanik vijnë një ditë pasi raketat britanike ‘Storm Shadow’ u lëshuan në Rusi për herë të parë.
Starmer tha se është krenar për parlamentin që ka treguar mbështetje të unifikuar ndër-partiake për Ukrainën për mbi 1 mijë ditë të konfliktit.
"Pra, e them përsëri, Rusia mund të tërheq forcat e saj dhe t'i japë fund kësaj lufte nesër, por deri atëherë ne do të ngrihemi për atë që e dimë se është e drejtë, për sigurinë e Ukrainës dhe për sigurinë tonë dhe ne do ta mbështesim Ukrainën me atë që është e nevojshme për aq kohë sa është e nevojshme", tha Starmer.
Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se dëshiron "shkatërrim dhe jo paqe", duke sfiduar kërcënimet nga Kremlini.
Dje, Rusia konfirmoi se Ukraina vu në shënjestër territorin e saj me raketa ‘Storm Shadow’ të prodhuara nga Mbretëria e Bashkuar, duke njoftuar se dy raketa u kapën nga mbrojtja ajrore gjatë ditës së kaluar.
"Dy raketa lundrimi ‘Storm Shadow’, gjashtë raketa ‘HIMARS’ dhe 67 mjete ajrore pa pilot u neutralizuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore", tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, disa ditë pas lajmit se Washingtoni i dha Ukrainës dritë jeshile për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin rus.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.