Fatjon Cuka
11 Shkurt 2016•Përditësim: 11 Shkurt 2016
TIRANË (AA) – Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian të Shqipërisë dhe Agjencinë Austriake të Zhvillimit kanë organizuar sot në Tiranë konferencën me temë "Mbështetja e BE-së dhe qytetarët shqiptarë - një perspektivë rajonale", në kuadër të përfundimit të programit “Instrumenti Lehtësues për Përgatitjen e Projekteve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë ishin të pranishëm, ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, si edhe përfaqësues të Zyrës së Integrimit Evropian në Serbi dhe Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, deklaroi gjatë fjalës së tij se Austria dhe Shqipëria kanë lidhje të mëdha mes tyre, dhe se vendi i tij dëshiron të kontribuojë për procesin e aderimit në BE të Shqipërisë. Ai ka shtuar se Austria e mbështet plotësisht këtë proces. “Të gjithë jemi dakord që ka shumë më shumë për të bërë në Shqipëri, por viti 2016 mund të jetë një vit i suksesshëm nëse bëhen reformat e duhura në sistemin e drejtësisë dhe mund të jetë një hap i rëndësishëm për hapjen e negociatave”- theksoi kryediplomati austriak.
Ministrja e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Klajda Gjosha në fjalën e saj në këtë konferencë u shpreh se Austria i ka dhënë mbështetje Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Sipas saj Shqipëria ndodhet përpara një sfide të madhe, përpara nisjes së negociatave për anëtarësim në BE. “Kushtet që duhen plotësuar varen nga gjithë aktorët e shoqërisë, e veçanërisht nga klasa politike. Shqipëria ka nevojë të rrisë standardet në shumë sektorë dhe të ketë ekspertizën e nevojshme për të qenë më shumë e përgatitur për të menaxhuar fondet e BE-së. Jemi të vendosur të përmbushim të gjitha detyrat e shtëpisë”- u shpreh Gjosha.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, u takua dje me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, ku gjatë konferencës për mediat ai theksoi se Austria është një partner i besueshëm për Shqipërinë. Gjithashtu mes dy vendeve është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit.