Elena Teslova
27 gusht 2022•Përditësim: 29 gusht 2022
Rusia e quajti “diskriminuese” nismën e Letonisë për të ndaluar gjuhën ruse në vendet e punës, duke thënë se ish-anëtari i Bashkimit Sovjetik e ka kthyer poshtërimin e pakicave etnike në një politikë shtetërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha se projektligji që po përgatitet në lidhje me këtë, bie ndesh me rregullat ndërkombëtare.
“Iniciativat e tilla absurde, diskriminuese, që prekin interesat e pothuajse gjysmës së popullsisë së Letonisë dhe që shkojnë kundër rekomandimeve të shumta të strukturave përkatëse ndërkombëtare, kanë qenë prej kohësh një praktikë e turpshme”, tha ajo.
“Në këtë vend baltik, gjenocidi gjuhësor dhe poshtërimi i pakicave etnike, përfaqësuesit e të cilëve konsiderohen si njerëz të dorës së dytë nga autoritetet letoneze, janë ngritur në rangun e politikës shtetërore”, tha Zakharova.
“Për fat të keq, strukturat ‘demokratike’ evropiane heshtin në mënyrë të turpshme”, shtoi zëdhënësja.
Rusishtja ka statusin e një gjuhe të huaj në vendin baltik, i cili kufizohet me Rusinë. Rreth 40 për qind e 1,9 milionë banorëve të Letonisë janë rusishtfolës.
Letonia është anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe ka dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt.
Duke u distancuar nga Rusia dhe e kaluara e saj, ajo ka hequr një sërë monumentesh sovjetike gjatë viteve, ku më i fundit ishte një obelisk betoni që ishte pjesa qendrore e një monumenti që përkujtonte fitoren e Ushtrisë së Kuqe mbi Gjermaninë naziste në kryeqytetin Riga.