Politikë

Putin: Kemi dorëzuar mbi 1,5 milion dronë në zonat e konfliktit në Ukrainë vitin e kaluar

“Më shumë se një milion e gjysmë dronë të llojeve të ndryshme u dërguan në vijën e frontit”, tha presidenti rus

Elena Teslova  | 23.04.2025 - Përdıtësım : 23.04.2025
Putin: Kemi dorëzuar mbi 1,5 milion dronë në zonat e konfliktit në Ukrainë vitin e kaluar

Moskë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se vendi i tij ka dorëzuar më shumë se 1,5 milion dronë te forcat e saj të armatosura vitin e kaluar, duke pranuar se ato kanë qenë ende të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat në rritje të ushtrisë, raporton Anadolu.

“Më shumë se një milion e gjysmë dronë të llojeve të ndryshme u dërguan në vijën e frontit, duke përfshirë rreth 4 mijë dronë FPV të kontrolluar virtualisht”, tha Putin në një takim të Komisionit Ushtarak-Industrial në Moskë.

Duke përgëzuar përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes, ai pranoi se duhet bërë më shumë për të rritur prodhimin.

“Unë e di shumë mirë dhe shumë prej jush sot këtu e dini po aq mirë se këto armë ende mungojnë. Ka mungesë. Jam i vetëdijshëm për punën e përditshme që po bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, vetë ministri dhe ndërmarrjet tona industriale. Ka plane në lëvizje dhe procesi është duke u zhvilluar”, tha ai.

Putin bëri një vlerësim përgjithësisht pozitiv për industrinë ruse të mbrojtjes, duke vënë në dukje se shumica e ndërmarrjeve ushtarake kanë përmbushur objektivat e tyre të rendit të mbrojtjes shtetërore plotësisht, me efikasitet dhe në kohë. Në disa zona, pohoi ai, prodhimi është madje përpara afatit.

“Për shembull, prodhimi i armëve të shkatërrimit, sistemeve të komunikimit, pajisjeve të zbulimit dhe sistemeve të luftës elektronike është më shumë se dyfishuar. Forcat tona kanë marrë mbi 4.000 automjete të blinduara dhe 180 avionë luftarakë dhe helikopterë”, tha ai.

Presidenti rus shprehu besimin se planet për të rritur prodhimin e dronëve do të realizohen, duke shtuar se sektori i mbrojtjes përballet me qëllime edhe më ambicioze këtë vit.

“Sot, përvoja jonë në operacionin special ushtarak, taktik dhe teknologjik, po studiohet nga ushtritë, prodhuesit e armëve dhe kompanitë e teknologjisë së lartë në mbarë botën. Ne duhet të qëndrojmë një hap përpara, siç kemi bërë në shumë raste, dhe jam i bindur se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

Putin theksoi gjithashtu nevojën për të monitoruar nga afër tendencat globale të teknologjisë ushtarake për të parashikuar dhe kuptuar konfliktet e ardhshme.

Ndër detyrat prioritare që ai përshkroi ishin zhvillimi i sistemeve të avancuara lazer, ndërtimi i një konstelacioni satelitor orbital për zbulim gjithëpërfshirës dhe komunikime të sigurta, dhe vendosja e softuerit të mbrojtur, të zhvilluar në vend, duke përfshirë zgjidhjet me AI, për integrimin në sistemet e automatizuara të komandës dhe kontrollit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın