Sibel Vezaj
03 Qershor 2016•Përditësim: 03 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka filluar me fjalën e kryeministrit kosovar Isa Mustafa, pasuar nga homologu i tij, Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Mustafa fjalimin e tij e filloi duke theksuar bashëpunimin e të dy qeverive. Ai shprehu dëshirën që takimet e tilla në të ardhmen të jenë të zakonshme dhe historia e këtyre dy vendeve të jetë histori normale, në një rajon me rëndësi të integrimeve, prosperitetit, paqes dhe stabilitetit.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe mirënjohës për këto avantazhe historike të epokës në të cilën ne po jetojmë. Me punët tona të qeverisë dhe me angazhimet tona të vazhdueshme do t’i shfrytëzojmë në të mirë të qytetarëve të dy shteteve dhe të dy vendeve tona. Thellimi i bashkëpunimeve ndërmjet dy qeverive tona është në interes të qytetarëve tanë është në interes kombëtar dhe shtetëror. Prandaj në këtë interes, ne do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët për t’i çuar proceset tona përpara”, u shpreh Mustafa.
Duke e falënderuar qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunim dhe mbështetjen vëllazërore gjatë proceseve të rëndësishme në të cilat Kosova ka sfiduar, Mustafa tha se “Duke e mbështetur Kosovën sidomos në njohje të reja nga shtetet dhe institucionet të rëndësishme ndërkombëtare dhe në anëtarësimin në organizata evropiane dhe botërore, ju përforconi unitetin tonë dhe identitetin tonë shtetëror dhe vëllazëror”.
Në vijim Mustafa theksoi se duhet inkurajuar përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë, sidomos atij serb dhe se ky është parakusht për të ndërtuar një Kosovë demokratike, multietnike me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Ai foli për arritjet e deritashme si për liberalizimin e vizave, në pranimin e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, të sportit, konkretisht në futboll në UEFA dhe FIFA si dhe për projektin për linjën interkonektive 400 kV dhe infrastrukturën e zhvilluar.
“Punojmë së bashku në çuarjen përpara të axhendës së Berlinit, duke rritur bashkëpunimin me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Infrastruktura të cilën e kemi ndërtuar, në veçanti rruga 'Ibrahim Rrugova', ka gjallëruar turizmin në dy vendet dhe ka begatuar shkëmbimin kulturor, artistik. Ka mundësuar që afër gjysëm milion kosovarë ta vizitojnë Shqipërinë gjatë një viti", shtoi Mustafa.
Duke vënë në dukje punën e deritashme, të filluar që nga takimi në Prizren në vitin 2014, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, theksoi se tanimë është krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme të punësimit.
“Nga ky bashkëpunim lindi edhe ideja për krijimin e hapësirës së përbashkët energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Brenda javëve të ardhshme ne do të jemi së bashku në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh autostradën energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe hap një faqë të re për zhvillimin e kësaj hapësire të përbashkët”, u shpreh Rama.
Gjithashtu Rama në vazhdim duke marrë si shembull konsullatën e përbashkët në Milano, propozoi që dy vendet të kenë edhe ambasada të përbashkëta.