Bekim Laci
30 Prill 2016•Përditësim: 30 Prill 2016
NEW YORK (AA) - Në një ceremoni të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Belizesë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja është nënshkruar nga përfaqësuesja e Përhershme e Belizesë në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Lois M. Young, dhe nga i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, Ylber Kryeziu.
Me këtë rast, Kryeziu ka falënderuar ambasadoren Young dhe Qeverinë e Belizesë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës dhe përkrahjen e vazhdueshme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ambasadorja Young, nga ana e saj ka rikujtuar sfidat e ngjashme nëpër të cilat ka kaluar shteti i Belizesë gjatë procesit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe ka siguruar se shteti i saj do të vazhdojë të luajë një rol mbështetës për njohjet ndërkombëtare të Kosovës.
Belize është shteti i 89-të me radhë që hyn në marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës. Ky shtet është anëtar i Komonuellthit, është i vetmi anëtar i të tri organizatave kryesore rajonale të Amerikës Qendrore si: CARICOM, CELAC, dhe SICA. Gjithashtu, Belize është një vend anëtar shumë i respektuar dhe me ndikim në Kombet e Bashkuara.
Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve gjithashtu i është dërguar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon për t’u përcjellë tek të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.