Politikë

SHBA-ja arreston figurat kyçe të kartelit meksikan të drogës

Ismael Zambada Garcia ose "El Mayo" dhe Joaquin Guzman Lopez, djali i El Chapos, janë arrestuar në El Paso të Teksasit

Servet Günerigök  | 26.07.2024 - Përdıtësım : 26.07.2024
SHBA-ja arreston figurat kyçe të kartelit meksikan të drogës

Washington DC

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi arrestimin e Ismael Zambada Garcia (El Mayo) dhe Joaquin Guzman Lopez, djalit të Joaquin "El Chapo" Guzman, të dy liderë të Kartelit të Sinaloas, transmeton Anadolu.

"Departamenti i Drejtësisë ka arrestuar dy liderë të tjerë të dyshuar të Kartelit të Sinaloas, një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë. Ismael Zambada Garcia ose 'El Mayo', bashkëthemelues i kartelit dhe Joaquin Guzman Lopez, djali i bashkëthemeluesit tjetër të saj, u arrestuan sot në El Paso të Teksasit", tha në një deklaratë shefi i Departamentit të Drejtësisë, Merrick Garland.

Të dy personat përballen me akuza të shumta në SHBA për drejtimin e operacioneve kriminale të kartelit, përfshirë prodhimin dhe rrjetet e trafikimit të drogës vdekjeprurëse fentanil, sipas deklaratës.

Garland tha se El Mayo dhe Guzman Lopez i bashkohen një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të Kartelit të Sinaloas që Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në SHBA.

"Kjo përfshin bashkëthemeluesin tjetër të Kartelit, Joaquin Guzman Loera ose 'El Chapo', një tjetër nga djemtë e El Chapos dhe një lider të supozuar të Kartelit, Ovidio Guzman Lopez dhe drejtuesin e supozuar të kartelit, Nestor Isidro Perez Salas ose 'El Nini'", thuhet në deklaratë.

"Fentanili është kërcënimi më vdekjeprurës i drogës me të cilin është përballur ndonjëherë vendi ynë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do të pushojë derisa çdo lider i kartelit, anëtar dhe bashkëpunëtor përgjegjës për helmimin e komuniteteve tona të mbahet përgjegjës", shtoi ajo.

Në vitin 2016, Departamenti i Shtetit shpalli shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në kapjen e El Mayos, i cili më vonë u rrit në 15 milionë dollarë në shtator 2023.

El Mayo bashkëthemeloi kartelin me bazë në Tijuana me "El Chapon", i cili u kap në vitin 2016 dhe tani po vuan një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale në SHBA për akuza që përfshijnë trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Pas arrestimit të "El Chapos", ai mori drejtimin e kartelit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.