Shtëpia e Bardhë: Presidenti Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit
"Presidenti premtoi se do të merrte pjesë në inaugurimin e kujtdo që do të fitonte zgjedhjet. Ai dhe Zonja e Parë do ta respektojnë atë premtim dhe do të marrin pjesë në inaugurim", tha zëdhënësi Andy Bates
Washington DC
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Joe Biden në fakt do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump më 20 janar, duke rivendosur një praktikë kyçe demokratike të thyer pikërisht nga Trump pas mandatit të tij të parë, transmeton Anadolu.
"Presidenti premtoi se do të merrte pjesë në inaugurimin e kujtdo që do të fitonte zgjedhjet. Ai dhe Zonja e Parë do ta respektojnë atë premtim dhe do të marrin pjesë në inaugurim", u tha gazetarëve në "Air Force One" zëdhënësi Andy Bates.
"Ai e sheh këtë si një demonstrim të rëndësishëm të përkushtimit ndaj vlerave tona demokratike dhe për nderimin e vullnetit të popullit, teksa ne vazhdojmë të ofrojmë një tranzicion të rregullt dhe efektiv", shtoi ai.
Trump zgjodhi të anashkalojë inaugurimin e Bidenit në vitin 2021, duke pretenduar se zgjedhjet iu vodhën, pretendime që ai vazhdon të përsërisë pavarësisht se ka mungesë provash dhe refuzohet vazhdimisht në gjykatë.
Trump gjithashtu neglizhoi të ftonte Bidenin në Shtëpinë e Bardhë pasi humbi zgjedhjet. Biden e rivendosi edhe këtë traditë në fillim të këtij muaji kur priti Trumpin për një takim në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa presidenti dhe zyrtarët e tij të lartë zotohen të sigurojnë një "tranzicion të qetë" të pushtetit.