Spanja anulon marrëveshjen për municione izraelite mes presionit nga partneri i koalicionit
Kontrata me vlerë më shumë se 6 milionë euro përfshinte blerjen e mbi 15 milionë plumbave 9mm për agjencinë shtetërore spanjolle Garda Civile nga kompania ‘Guardian Homeland Security S.A.’, e cila është degë e kompanisë izraelite ‘IMI Systems’

Gjenevë
Qeveria e Spanjës ka vendosur të anulojë një kontratë të diskutueshme armësh me një kompani izraelite pas presionit në rritje nga partia Sumar, respektivisht partneri i saj i koalicionit i krahut të majtë, transmeton Anadolu.
“Nuk mund të bësh biznes me ata që shkelin ligjin ndërkombëtar derisa masakrojnë popullin palestinez”, tha partia Sumar në rrjetet sociale , duke marrë meritat për ndryshimin e vendimit të qeverisë.
“Ne e bëmë pasi e kërkuam me vendosmëri, me koherencë, për drejtësi, për Palestinën”, theksoi partia spanjolle.
Sipas të përditshmes spanjolle ‘El Diario’, kontrata me vlerë më shumë se 6 milionë euro përfshinte blerjen e mbi 15 milionë plumbave 9mm për agjencinë shtetërore spanjolle Garda Civile nga kompania ‘Guardian Homeland Security S.A.’, e cila është degë e kompanisë izraelite ‘IMI Systems’.
Marrëveshja u formalizua në Gazetën Zyrtare të Shtetit të Spanjës (BOE) në fillim të kësaj jave, pavarësisht premtimeve të mëparshme të qeverisë për ta anuluar atë.
Lajmi për marrëveshjen shkaktoi tensione brenda qeverisë së koalicionit, me partnerin e koalicionit, partinë Sumar, që e quajti atë një “shkelje flagrante” të marrëveshjes qeverisëse.
Sumar pretendoi se kontrata binte ndesh me qëndrimin e politikës së jashtme të Spanjës, e cila përfshinte një premtim për të pezulluar tregtinë e armëve me Izraelin dhe mbështetje të zëshme për të drejtat e palestinezëve.
Burime qeveritare për mediat lokale thanë se vendimi i sotëm për të anuluar kontratën u mor “për arsye të interesit të përgjithshëm pasi ishin shterur të gjitha kanalet e negociatave”.
Qeveria e Spanjës vazhdimisht ka pohuar se nuk ka blerë ose shitur armë nga kompanitë izraelite që nga tetori i vitit 2023, kur Izraeli nisi ofensivën ushtarake në Gaza.
Megjithatë, e përditshmja ‘El Diario’ raportoi se Spanja ka dhënë ose formalizuar 40 kontrata prokurimi armësh me kompani izraelite që nga tetori i vitit 2023, përfshirë marrëveshjen që tani thuhet se po anulohet.
Partia Sumar ende nuk ka komentuar mbi raportin e fundit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.