Politikë, Bota

Ushtria izraelite tërhiqet nga qyteti Jenin i Bregut Perëndimor pas operacionit dyditor

Gjatë operacionit dhjetëra shtëpi u dogjën ose u shembën, si dhe u shkatërruan katër kilometra rrugë dhe infrastrukturë të ujit dhe kanalizimit

Mohammad Sıo  | 21.11.2024 - Përdıtësım : 21.11.2024
Ushtria izraelite tërhiqet nga qyteti Jenin i Bregut Perëndimor pas operacionit dyditor

Ramallah

Ushtria izraelite u tërhoq nga qyteti Jenin në Bregun Perëndimor dhe kampi i refugjatëve mbrëmë vonë pas një operacioni dyditor ku u vranë të paktën tetë palestinezë dhe 19 të tjerë u plagosën, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturë, raporton Anadolu.

"Ushtria izraelite është tërhequr nga i gjithë qyteti Jenin dhe kampi i tij", tha për Anadolu Bashir Matahen, drejtor i marrëdhënieve me publikun dhe mediat në komunën e Jenin-it.

Ai tha se gjatë operacionit dhjetëra shtëpi u dogjën ose u shembën, si dhe u shkatërruan katër kilometra rrugë dhe infrastrukturë të ujit dhe kanalizimit.

Matahen gjithashtu vuri në dukje se rrjetet e energjisë elektrike, të ujit dhe të kanalizimit në kamp ishin shkatërruar, duke e lënë atë pa energji që nga fillimi i operacionit.

Kamel Abu al-Rub, guvernatori i Jeninit, konfirmoi vrasjen e dy të rinjve në qytezën Kafr Dan në perëndim të qytetit Jenin, kufomat e të cilëve po mbahen nga forcat izraelite.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, kjo e rrit numrin e të vdekurve në Jenin në tetë, me 19 të tjerë të plagosur gjatë operacionit 48-orësh.

Televizioni shtetëror palestinez tha se një avion izraelit shënjestroi një automjet në Wadi Hassan, midis qytezave Kafr Dan dhe Al-Yamoun.

WAFA raportoi se një dron izraelit kreu sulmin teksa helikopterët Apache fluturuan mbi zonë gjatë operacionit.

Komuna e Jenin-it theksoi ndikimin afatgjatë te banorët, duke përfshirë arrestimet masive, me dhjetëra të arrestuar dhe liruar në faza.

Tensionet janë përshkallëzuar në Bregun Perëndimor për shkak të luftës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku ka vrarë rreth 44 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar.

Gjithashtu, më shumë se 790 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6.400 të tjerë janë plagosur nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Në korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi ​​një opinion këshillues historik që e shpalli "të paligjshëm" pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.