Admir Fazlagikj
11 Prill 2017•Përditësim: 12 Prill 2017
SHKUP (АА) - Parlamenti i Republikës së Maqedonisë ka vazhduar sot seancën konstituive në të cilën duhet të zgjedhet kryetari, nënkryetari, anëtarët dhe zëvendës-anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca e sotme ka rrjedhur njëjtë sikur ato në ditët e kaluara, me plot akuza dhe kundërakuza të ndërsjella mes deputetëve, në kontekst të bllokimit të punës së Parlamentit.
Në fillim e njëmbëdhjetë të seancës konstituive, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) kërkoi që deputetët të kalojnë te pika e katërt e rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të shtëpisë ligjvenëse.
Me këtë propozim nuk u dakordua grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së duke argumentuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit.
Sipas tyre, fillimisht nevojitet shterrja e debatit për pikën e tretë, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, ndërkohë që kryesuesi, Trajko Veljanovski kërkoi nga deputetët të heqin dotë nga vërejtjet procedurale, nga replikat dhe kundër-replikat.
Deputeti i Partisë së Re Social Demokrate (PRSD), Goran Misovski, në vërejtjen e tij procedurale i bëri thirrje kryesuesit Trajko Veljanoski, të tregojë guximin dhe thotë se nuk mbështet skenar që është në kundërshtim me shumicën parlamentare.
Ai pyeti deputetët e VMRO-DPMNE-së përse këmbëngulin me çdo kusht për të parandaluar zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit.
Syrja Rashidi, deputet nga koalicioni "Aleanca për Shqiptarët", tha se Kuvendi është duke shpërfillur vullnetin e shumicës mbi vullnetin e pakicës me një shkelje flagrante të Rregullores.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski theksoi se askush në Republikën e Maqedonisë, nuk ka paguar para që dikush nga politikanët të bëjnë, siç e quajti ai, fotosesion me Edi Ramën, veprimi i të cilit siç tha, nuk ka ndihmuar në raport me shqiptarët në Maqedoni.
“E vetmja gjë që u bë, është shkaktimi i dëmeve. U krijua një mosbesim i madh dhe është shkelur një parim që vlen për të gjitha vendet, dhe kjo është mosndërhyrja në punët e brendshme të një shteti sovran”, tha ai.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se platforma është e partive politike dhe se Tirana vetëm ka ndihmuar.
Në një prononcim televiziv në Tiranë, duke folur për zhvillimet politike në Maqedoni, Rama tha se nuk ekziston e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”, por vetëm platformë e shqiptarëve të Maqedonisë.
"Nuk ka asnjë ‘Platformë nga Tirana’, por Deklaratë të partive shqiptare të cilat i kemi ndihmuar. Ne kemi pasur takime të ndara me liderët e partive shqiptare dhe kemi marrë shënime gjithçka që është thënë. Ata janë bashkuar në një copë letre”, tha Rama.
Rikujtojmë se seanca konstituive e Parlamentit filloi më 30 dhjetor, 2016, por ishte ndërprerë për shkak se nuk u sigurua shumica parlamentare për të zgjedhur një kryeparlamentar.