Politikë, Bota

Vuçiq: Putin nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore

Sipas presidentit serb Vuçiq, bota është një hap larg një katastrofe dhe se hapi tjetër mund të çojë në një konflikt bërthamor

Mustafa Talha Öztürk  | 20.11.2024 - Përdıtësım : 20.11.2024
Vuçiq: Putin nuk do të hezitojë të përdorë armë bërthamore

Beograd

Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, homologu i tij rus Vladimir Putin nuk do të hezitonte të përdorë armë bërthamore nëse rrezikohet siguria dhe ushtria e vendit të tij dhe nëse ai nuk ka alternativë tjetër, raporton Anadolu.

Sipas raporteve në media, që dje cituan zyrtarë amerikanë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, autorizoi Ukrainën të përdorë raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur më thellë Rusinë.

Sipas presidentit Vuçiq, i cili mbrëmë foli për publikun, bota është një hap larg një katastrofe dhe se hapi tjetër mund të çojë në një konflikt bërthamor.

“Kur keni 10 hapa për të përfunduar fatkeqësinë, ne kemi kaluar të nëntën. Unë do t’ju them juve hapur atë që mendoj. Unë mendoj se askush nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha armët që ka. Në Perëndim ata do të thonë se Putin po luan lojëra dhe po kërcënon me këtë, por në fakt ai ka frikë dhe unë do t’ju them se pak njerëz e njohin presidentin Putin siç e njoh unë”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se nëse siguria e Moskës dhe forcave të saj kërcënohet, Putin “nuk do të hezitojë për asnjë moment”.

“Ne jemi plotësisht të papërgatitur. Ne kemi hapësirë për 257 mijë njerëz në strehimore dhe do të duhet të fillojmë rindërtimin e infrastrukturës përsëri, të paktën për të arritur numrin prej 1 milion, një milion e gjysmë, që mund të strehojmë në strehimore. Ne do të punojmë për këtë me zell. U kërkoj falje qytetarëve që nuk e kemi filluar me kohë këtë punë, por do të merremi me të”, tha Vuçiq.

Derisa konflikti i Ukrainës tejkalon 1 mijë ditëshin e tij, kompeksiteti i tij po thellohet më tej, i formësuar nga krizat e jashtme dhe zhvillimet ushtarake në rritje, duke theksuar nevojën e madhe për përpjekje të përtëritura diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.