Shëndetësi

Shkencëtarët në Gjermani zhvillojnë "inde muskulore të zemrës" për trajtimin e sëmundjeve të zemrës

Studiuesit vendosën 10 inde muskulore në sipërfaqen e jashtme të zemrës së pacientit që vuante nga dështimi i zemrës pas një ataku në zemër dhe përcaktuan se gjendja e pacientit mbeti e qëndrueshme për 3 muaj

Emirhan Demir  | 30.01.2025 - Përdıtësım : 30.01.2025
Shkencëtarët në Gjermani zhvillojnë "inde muskulore të zemrës" për trajtimin e sëmundjeve të zemrës

Ankara

Shkencëtarët në Gjermani kanë zbuluar se sëmundjet e zemrës mund të trajtohen me "inde muskulore të zemrës" të marra nga gjaku të cilat mund të shndërrohen në qeliza burimore (qeliza staminale), transmeton Anadolu.

Shkencëtarët nga Qendra Mjekësore Universitare Göttingen në Gjermani fillimisht këtë trajtim e provuan te majmunët me dështim të zemrës, ndërsa më pas në vitin 2021 studiuan zemrën e një pacienteje femër 46-vjeçare.

Studiuesit vendosën 10 inde muskulore të përbërë nga 400 milionë qeliza në sipërfaqen e jashtme të zemrës së pacientit që vuante nga dështimi i zemrës pas një ataku në zemër dhe përcaktuan se gjendja e pacientit mbeti e qëndrueshme për 3 muaj.

Në fund të kësaj periudhe 3-mujore, studiuesit ekzaminuan zemrën e pacientit dhe vunë re se indet muskulore u lidhën me zemrën duke krijuar enë dhe mbështetnin në mënyrë të sigurt pompimin e zemrës.

Shkencëtarët deklaruan se indet muskulore në fjalë ishin qepur në sipërfaqen e zemrës përmes një prerjeje të vogël në gjoks.

U theksua se trajtimi u testua për të ndihmuar pacientët në pritje të transplantit të zemrës, jo për të eliminuar plotësisht nevojën për transplantim të zemrës.

Studiuesit të cilët aplikuan të njëjtën metodë trajtimi tek 14 pacientë të tjerë, synojnë të trajtojnë më shumë pacientë me këtë metodë të re.

Rezultatet e hulumtimit u publikuan në revistën "Nature".

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundjet e zemrës janë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën dhe diagnostikimi i hershëm është i rëndësishëm për trajtim.

Ndërsa shkencëtarët kanë eksperimentuar për shumë vite me implantimin në zemër të qelizave staminale ose indeve muskulore të prodhuara nga qelizat burimore, këto studime shpesh kanë hasur në pengesa të tilla si ritmi i parregullt i zemrës, formimi i tumorit dhe refuzimi nga sistemi imunitar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.