Universiteti i Hong Kongut zhvillon modelin e inteligjencës artificiale për diagnostikimin e kancerit të tiroides
Modeli, i zhvilluar në bashkëpunim me Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale të Londrës, mund të identifikojë fazën e kancerit dhe kategorinë e rrezikut të tij me një saktësi më të madhe se 90 për qind

Ankara
Fakulteti i Mjekësisë Li Ka Shing i Universitetit të Hong Kongut ka krijuar modelin e parë në botë të inteligjencës artificiale të dedikuar për diagnostikimin dhe klasifikimin e kancerit të tiroides, transmeton Anadolu.
Universiteti i Hong Kongut njoftoi se modeli, i zhvilluar në bashkëpunim me Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale të Londrës, mund të identifikojë fazën e kancerit dhe kategorinë e rrezikut të tij me një saktësi më të madhe se 90 për qind.
“Ky model inovativ i inteligjencës artificiale premton të shkurtojë ndjeshëm kohën e përgatitjes para konsultimit të klinicistëve në vijën e parë me afër 50 për qind”, tha universiteti.
Kanceri i tiroides është ndër kanceret më të përhapura në Hong Kong, por edhe në mbarë botën.
Profesori Joseph T. Wu, drejtor menaxhues i Fakultetit të Mjekësisë Li Ka Shing në Universitetin e Hong Kongut, tha se modeli i tyre arrin “më shumë se 90 për qind saktësi në klasifikimin e fazave të kancerit AJCC (Komiteti i Përbashkët Amerikan për Kancerin) dhe në kategorinë e rrezikut ATA (Asociacioni Amerikan i Tiroides)”.
Sipas Universitetit të Hong Kongut, ekipet kërkimore krijuan një asistent të inteligjencës artificiale që analizon dokumentet klinike duke përdorur modele gjuhësore si ChatGPT dhe DeepSeek, të cilat janë të dizajnuara për të kuptuar dhe përpunuar gjuhën njerëzore, si dhe për të përmirësuar saktësinë dhe efikasitetin e stadifikimit dhe klasifikimit të rrezikut të kancerit të tiroides.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.