Kosova bëhet pjesë e hartës së internetit Starlink
Këtë e ka bërë të ditur vet Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane SpaceX, i cili shkroi në rrjetet sociale se “Starlink tani edhe në Kosovë”
Prishtinë
Rrjeti privat satelitor i internetit Starlink i miliarderit amerikan Elon Musk, tani është funksional edhe në territorin e Kosovës, transmeton Anadolu.
Këtë e ka bërë të ditur vet Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane SpaceX, i cili shkroi në rrjetet sociale se “Starlink tani edhe në Kosovë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Starlink filloi shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
“Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, theksoi Kurti.
Kryeministri kosovar tha se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.
Në tetor, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e ka autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.