Shkencë dhe Teknologji

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë pezullon aktivitetet në X

Ministria gjermane tha se “nuk do të postojë më në mënyrë proaktive në llogarinë e saj në X për të ardhmen e parashikueshme”, duke argumentuar se “shkëmbimi i argumenteve të bazuara në fakte po bëhet gjithnjë e më i vështirë”

Oliver Towfigh Nia  | 15.01.2025 - Përdıtësım : 15.01.2025
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë pezullon aktivitetet në X

Berlin

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka bërë të ditur se po pezullon aktivitetet në platformën X të Elon Muskit mes akuzave se platforma e mediave sociale po përhap dezinformata përpara zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit, transmeton Anadolu.

Ministria gjermane tha se “nuk do të postojë më në mënyrë proaktive në llogarinë e saj në X për të ardhmen e parashikueshme”, duke argumentuar se “shkëmbimi i argumenteve të bazuara në fakte po bëhet gjithnjë e më i vështirë”.

Më tej, ministria tha se do të përdorë në të ardhmen një kanal në WhatsApp si alternativë për të dhënë informacione rreth emërimeve dhe vendimeve përkatëse nga ministri, si dhe lajme nga ministria.

Javën e kaluar, më shumë se 55 universitete dhe institute kërkimore në Gjermani njoftuan se nuk do të postojnë më përmbajtje në X, duke argumentuar se një “shkëmbim i bazuar në fakte, ligjërim të hapur dhe transparencë” më nuk ishte i mundur.

Qeveria gjermane ka akuzuar Muskin për ndërhyrje në votimin e ardhshëm pasi ai, personi më i pasur në botë dhe aleat i presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump, shprehu mbështetje të hapur për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Javën e kaluar, ai gjithashtu zhvilloi një bisedë në X me kandidaten për kancelar të AfD-së, Alice Weidel.

Në një konferencë për media në Berlin, zv.zëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann, theksoi se derisa miliarderi amerikan është i lirë të shprehë mendimin e tij, "në fakt, Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale përmes deklaratave të tij”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın