NASA asgjëson zyrën kryesore të shkencëtarëve dhe 2 departamente si pjesë e ri-organizimit
Nga shkurtimet janë prekur rreth 20 punonjës të NASA-s, përfshirë kryeshkencëtaren dhe eksperten e klimës, Katherine Calvin, e cila u emërua nga ish-presidenti Biden, me ditën e tyre të fundit të punës më 10 prill

Istanbul
NASA ka bërë të ditur se ka asgjësuar zyrën e saj kryesore të shkencëtarëve dhe dy departamente të tjera në kuadër të masave për uljen e kostove në përputhje me përpjekjet federale të efikasitetit të adminstratës së presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu.
Një mesazh i regjistruar nga administratorja në detyrë, Janet Petro, tha se agjencia hapësinore po bën reduktime në faza në kuadër të përpjekjeve të ardhshme të ri-organizimit në koordinim me Zyrën e Menaxhimit të Personelit të SHBA-së (OPM).
“Ne do të mbyllim Zyrën e Teknologjisë, Politikës dhe Strategjisë së NASA-s, Zyrën e Kryeshkencëtarit dhe degën e Diversitetit, Barazisë, Përfshirjes dhe Aksesueshmërisë në Zyrën e Diversitetit dhe Shanseve të Barabarta, së bashku me reduktimin e fuqisë së tyre punëtore”, tha Petro.
Nga shkurtimet janë prekur rreth 20 punonjës të NASA-s, përfshirë kryeshkencëtaren dhe eksperten e klimës, Katherine Calvin, e cila u emërua nga ish-presidenti Joe Biden për të udhëhequr përpjekjet për klimën, me ditën e tyre të fundit të punës më 10 prill.
Detyra e kryeshkencëtarit të NASA-s, që këshillon zyrtarët e lartë për planifikimin strategjik, ekziston që nga viti 1982, edhe pse u asgjësua në vitin 2005 dhe u rivendos në vitin 2011. Calvin, e 11-ta që mban këtë pozicion, nuk ka autoritet buxhetor dhe roli është i ndarë nga administratorja e asociuar për Drejtorinë e Misionit të Shkencës, Nicola Fox.
“E di që ky lajm është i vështirë dhe mund të na prekë të gjithëve në mënyrë të ndryshme. Ndryshimi i kësaj përmase nuk është kurrë i lehtë, por forca jonë vjen nga angazhimi ynë i përbashkët ndaj misionit tonë dhe njëri-tjetrit. Unë mbetem mirënjohëse për profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë tuaj dhe ju inkurajoj të mbështesni njëri-tjetrin derisa ecim përpara. Përqafojeni sfidën”, tha Petro.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.