"Ndryshimet klimatike rritën intensitetin e fatkeqësive ekstreme të motit në 20 vitet e fundit"
Shkencëtarët erdhën në përfundim se këto ngjarje të motit janë bërë më intensive dhe më të mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu
Ankara
Shkencëtarët konstatuan se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit kanë rritur intensitetin e fatkeqësive ekstreme të motit në 20 vitet e fundit, njoftoi BBC, transmeton Anadolu.
Në një studim të zhvilluar nga shkencëtarët e "World Weather Attribution" (WWA) në Imperial College London, u ekzaminua lidhja midis kushteve të rënda të motit dhe ndryshimeve klimatike.
Shkencëtarët rishqyrtuan të dhënat për 10 ngjarjet më të rënda të motit në 20 vitet e fundit ndërsa u fokusuan në ngjarje të tilla si thatësira që preku qindra mijëra njerëz në Somali dhe valët e të nxehtit që shkaktuan vdekjen e më shumë se 3 mijë njerëzve në Francë.
Si rezultat i studimit, shkencëtarët erdhën në përfundim se këto ngjarje të motit janë bërë më intensive dhe më të mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.
"Ky hulumtim duhet të jetë një mesazh për liderët politikë që vazhdojnë të mbahen pas karburanteve fosile që po ngrohin botën dhe po shkatërrojnë jetë", tha Friederike Otto, akademik në "Imperial College".