Malik Hasa
26 Prill 2016•Përditësim: 26 Prill 2016
TIRANË (AA) - Automjeti elektrik i realizuar nga studentët e Fakultetit të Inxhinierisë pranë Universitetit të Trakya-s, të cilin e kanë emërtuar "Pehlivan Elektrak", është prezantuar edhe në Shqipëri, në kuadër të turneut Ballkanik për promovimin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Automjeti i cili fitoi çmimin "Dizajni më i mirë" në garën e TUBITAK-ut, për automjetet alternative me energji, ka filluar turneun në Ballkanik më 19 prill, ku është prezantuar në Greqi, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Malin e Zi, në Bullgari dhe ndalesa e fundit ishte në Shqipëri.
Gjatë prezantimit në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) merrnin pjesë ekipi i ardhur nga Universiteti i Trakya-s, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, pedagogë të UPT-së si dhe studentë të shumtë.
Ekipi i "Pehlivan Elektrak" më parë ka prezantuar karakteristikat e këtij automjeti në ambientet e bibliotekës së UPT-së dhe më pas të pranishmit kanë pasur mundësinë të shohin nga afër këtë automjet.
Gjatë prezantimit një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Bayraktar.
Ai në fjalën e tij duke vënë në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira tha se prioriteti i ambasadës është shtimi i marrëdhënieve mes universiteteve të Shqipërisë dhe Turqisë.
"Po përpiqemi që të jemi urë lidhëse në mënyrë që të shtohet bashkëpunimi mes universiteteve të të dy vendeve. Në këtë kontekst Universiteti i Trakya-s luan një rol të rëndësishëm. Ky universitet si dhe rektori i tij, Yener Yörük po punon për zgjerimin e anëtarëve të Unionit të Universiteteve të Ballkanit", u shpreh Bayraktar.
Në fjalën e tij Bayraktar krahas bashkëpunimit mes universiteteve, vuri në dukje gjithashtu edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes studentëve.
Automjeti elektrik i cili është produkt i 16 studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë pranë universitetit të Trakya-s, peshon 190 kilogram dhe shpejtësia e tij mund të shkojë deri më 110 kilometra në orë. Automjeti i cili punon me bateri litium e cila mbushet për 40 minuta, me një bateri për 3 kilovat orë mund të përshkojë përafërsisht 100 kilometra. Ndërkohë për këtë distance automjeti harxhon më pak se gjysmë euro (75 kurush të Turqisë).