Shkencë dhe Teknologji

Shkencëtarët kinezë vendosën rekord botëror në teknologjinë e ruajtjes së dritës

Zhvillimi pritet të sigurojë një platformë fizike me performancë të lartë për llogaritjen kuantike dhe të krijojë një bazë të fortë për rrjetet kuantike të informacionit

Amir Latif Arain  | 05.03.2025 - Përdıtësım : 05.03.2025
Shkencëtarët kinezë vendosën rekord botëror në teknologjinë e ruajtjes së dritës

Karaçi

Shkencëtarët kinezë kanë bërë një përparim në ruajtjen e dritës, në vendosjen e rekordit të ri botëror duke ruajtur informacionin e dritës për 4,035 sekonda, transmeton Anadolu.

Agjencia e lajmeve "Xinhua" raportoi se hulumtimi i kryer nga shkencëtarët në Akademinë e Shkencave Kuantike të Informacionit të Pekinit (BAQIS), është publikuar në revistën ndërkombëtare "Nature Communications".

Zhvillimi pritet të sigurojë një platformë fizike me performancë të lartë për llogaritjen kuantike dhe të krijojë një bazë të fortë për rrjetet kuantike të informacionit.

"Ruajtja e dritës ka qenë gjithmonë një sfidë në të gjithë botën", tha Liu Yulong, një studiues i asociuar në BAQIS dhe autori i parë i studimit.

Ai shpjegoi se fotonet, grimcat themelore të dritës, udhëtojnë me shpejtësi jashtëzakonisht të larta, duke i bërë ato të vështira për t'u kapur dhe për t'u ruajtur drejtpërdrejtë. Për të adresuar këtë, studiuesit iu drejtuan sinjaleve zanore, të cilat lëvizin shumë më ngadalë dhe janë më të lehta për t'u ruajtur.

Sfida kryesore ishte identifikimi i një materiali të aftë për të kthyer sinjalet e dritës në sinjale zanore, duke "kapur" efektivisht dritën.

Përpjekjet e mëparshme të ruajtjes mbështeteshin në materiale si filmat metalik të aluminit dhe nitridit të silikonit, por humbjet e brendshme në këto materiale kufizuan kohëzgjatjen e ruajtjes në më pak se një sekondë.

Për të tejkaluar këtë kufizim, ekipi nga BAQIS eksploroi materiale alternative, duke testuar diamantin dhe nitridin e galiumit para se të zgjedhë film karabit silikoni me një kristal. Ky material, me strukturën e tij të brendshme shumë të rregullt, ofron stabilitet të jashtëzakonshëm të frekuencës dhe humbje minimale të brendshme.

Duke përdorur këtë teknologji, studiuesit arritën një kohëzgjatje rekord të ruajtjes prej 4,035 sekondash, duke tejkaluar ndjeshëm përpjekjet e mëparshme.

Studiuesit synojnë të përmirësojnë më tej kohëzgjatjen e ruajtjes së pajisjes, të rrisin densitetin e informacionit dhe të rrisin përputhshmërinë me teknologjitë e tjera kuantike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.