Bekim Laci
11 tetor 2015•Përditësim: 12 tetor 2015
SHKUP (AA) - Suad Saliu dhe Basri Jashari, janë dy të rinj nga Shkupi, të cilët me punën dhe suksesin e tyre thyejnë paragjykimin se për të qenë një shkencëtarë duhet të jesh në moshë, dhe me flokë të thinjura, shkruan Anadolu Agency (AA).
Dy të rinjtë, javën që vjen do të diplomojnë në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike. Suadi me notë mesatare 10.00
Përkushtimi ndaj robotikës dhe software-it, i ka bërë ata pjesëmarrës në gara të ndryshme, ndërsa veçojnë atë të organizuar nga NASA dhe aplikacionet për smartfonë të cilat siç thonë janë të dizajnuara të lehtësojnë orientimin në natyrë.
Për vete thonë se qysh në moshë shumë të re, ka qenë evidente prirja e tyre për shkencat ekzakte.
Ashtu siç tregon Suadi, në moshën parashkollore kur nëna e mësonte motrën e tij për disa ekuacione themelore matematikore të cilat ajo nuk i kuptonte, ky i ka ndihmuar. Basriu thotë se shkencat ekzakte, më saktësisht matematika e ka tërhequr që në vegjëli, ndërsa orët e matematikës në shkollë gjithmonë i janë dukur të shkurta, prandaj ka zgjedhur një drejtim në shkollë të mesme ku kishte në të orë matematikë.
Suadi bashkë me katër shokë tjerë ka qenë pjesë e garës së organizuar nga NASA në 105 shtete të ndryshme në të cilën ka garuar në kategorinë për telefonët Android, për të shfrytëzuar të dhënat se si më mirë të gjendemi në natyrë, në mënyrë që secili njeri të vendosë të dhëna për botën bimore dhe shtazore për një rajon të caktuar. Siç rrëfen, në këtë kompeticion të madh garues ata janë renditur vendin e dytë.
“Ideja më kreative ishte që këto të dhëna të vendosen diku dhe të funksionojnë pa ndihmë të energjisë elektrike dhe internetit, dhe kjo i ka ‘intriguar’ ata që të na vlerësojnë. Projekti fillimisht ka qenë i nisur për tu implementuar në vendet ku më rrallë shkel këmba e njeriut, në vende malore dhe të rrezikshme që të ketë informata me të detajuara se çka ka aty, ose ndihmë për shkencëtarët që merren me mbledhjen e bimëve, që dikush që ka qenë më herët aty i vendos të dhënat” rrëfehet ai.
Suadi dhe Basriu bashkë dizajnojnë edhe programe softwerike të cilat vënë në lëvizje robotët, të cilët vijnë me module të veta, por siç thotë Basriu ato janë të pakta prandaj nëse dëshiron të bësh robotin të bëjë lëvizje tjera, duhen programe të cilat duhen dizajnuar vet dhe që janë shumë të vështira për tu bërë.
“Ne kemi programuar për këtë robot një program me të cilin ai mund të lokalizojë topin në rrethin ku ai gjendet, ti afrohet dhe ta shutojë. Diçka kemi marrë të gatshme në gjuhën ‘Payton’, por diçka kemi bërë edhe vet” tregon Basriu për të cilin sfidë mbetet programimi për ta urdhëruar me gojë robotin, dhe kjo në gjuhën shqipe sepse për momentin komandat gojore ekzistojnë vetëm në anglisht, thotë ai. Sfida kryesore e shkencëtarëve që merren me robotistikë është që deri në vitin 2025, robotët të mundin një ekip futbollistik të njerëzve, na thanë dy të rinjtë.
Së fundmi, Suadi ka ia ka dalë të programojë një software për telefonët Android me të cilin bëhet përzgjedhja e disa programeve të cilat përdoruesi i shfrytëzon më shpesh, dhe vetëm me një lëvizje të shpejtë të telefonit bëhet kalimi nga një, në një tjetër aplikacion që bën kursimin e kohës. Së shpejti përdoruesit e telefonëve Android do të mund ta marrin në Play Store.