Tufan Aktaş
19 Dhjetor 2023•Përditësim: 20 Dhjetor 2023
Kompania gjermane e bioteknologjisë, BioNTech ka hapur fabrikën e saj të parë të vaksinave në Afrikë, në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, transmeton Anadolu.
Fabrika, e cila përbëhet nga kontejnerë të quajtur "BioNTainer" dhe ndërtimi i së cilës filloi në vitin 2022, do të prodhojë vaksina të bazuara në mRNA për vendet afrikane.
Në hapjen e fabrikës morën pjesë presidenti i Ruandës, Paul Kagame, drejtori ekzekutiv i BioNTech, prof. dr. Uğur Şahin dhe të ftuar tjerë. Në fjalën e tij, Şahin tha se duan të ndërtojnë ekosistem të qëndrueshëm të vaksinës mRNA në Afrikë.
Kagame tha se objekti i prodhimit është një pikë kthese për mundësinë e hyrjes së vaksinës në kontinent. Ai theksoi se në Afrikë u krijua një strukturë e prodhimit të vaksinave brenda një kohe të shkurtër, edhe pse thuhej se do të duheshin 30 vjet.
Objekti, i cili do të fillojë të funksionojë me kapacitet të plotë në vitin 2025, është planifikuar të prodhojë deri në 50 milionë doza të vaksinës në vit. Sipas të dhënave të Bankës Afrikane për Zhvillim, vendet në Afrikë importojnë 70 për qind të ilaçeve që u nevojiten ndërsa prodhojnë vetëm 1 për qind të vaksinave.
Objekti i prodhimit, gurthemeli i të cilit u hodh në qershor 2022, do të lehtësojë qasjen më të shpejtë të vendeve afrikane në vaksinat mRNA. Përveç COVID-19, kompania synon të prodhojë vaksinat e saj të sapo zhvilluara të bazuara në mRNA për malarian dhe tuberkulozin, të cilat do të testohen te njerëzit.