Dildar Baykan
12 Maj 2017•Përditësim: 13 Maj 2017
SAO PAULO (AA) - Brazili heq gjendjen emergjente e cila para 18 muajve ishte shpallur si pasojë e përhapjes së virusit Zika në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Adeilson Cavalcante, zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë së Brazilit, ka deklaruar se rastet e virusit Zika janë zvogëluar për 95 përqind në periudhën nga janari deri në mesin e muajit prill krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë, në kuadër të aktiviteteve kundër mushkonjave që kanë shkaktuar virusin Zika.
Cavalcante ka njoftuar heqjen e gjendjes emergjente e cila ishte shpallur në nëntor të vitit 2015 si pasojë e virusit. Megjithatë, siç ka thënë ai, "Përfundimi i gjendjes emergjente nuk do të thotë edhe përfundim i monitorimeve dhe ndihmave".
Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësise (OBSH) ka hequr gjendjen globale të emergjencës për virusin Zika nëntorin e kaluar, pasi të njëjtën e shpalli në shkurt të vitit 2015, duke theksuar se organizata do të vazhdojë me aktivitetet kundër përhapjes së virusit në afat të gjatë.
Ndryshe, virusi Zika, i cili përveç pickimit të mushkonjave ngjitet edhe përmes gjakut dhe marrëdhënieve seksuale, për herë të parë u zbulua në vitin 1947 në malet Zika në Uganda. Virusi nuk ishte rastisur për vite të gjatë, kurse në maj të vitit 2015 sërish u shfaq në Brazil.
Në rast të infektimit të grave shtatzëna, mendohet se virusi tek foshnjet shkakton mikrocefalinë, e cila është çrregullim neuro-zhvillimor. Shenjat e sëmundjes janë temperatura e lartë, skuqja e syve, vjellja, irritimi i lëkurës, dhimbja e kokës, muskujve dhe nyjeve, ndërsa për trajtimin e saj nuk ka ndonjë tretman të veçantë apo vaksinë parandaluese.