Ministri turk i Shëndetësisë: E shkatërruam "bandën Yenidoğan" në koordinim të plotë me njësitë përkatëse
Ministri i Shëndetësisë së Türkiyes, Memişoğlu tha se duke punuar në koordinim të plotë me Drejtorinë e Shëndetësisë, njësitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore kanë shkatërruar "bandën Yenidoğan"
Ankara
Ministri i Shëndetësisë së Türkiyes, Kemal Memişoğlu deklaroi se duke punuar në koordinim të plotë me Drejtorinë e Shëndetësisë, njësitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore kanë shkatërruar "bandën Yenidoğan", raporton Anadolu.
Memişoğlu në Komisionin e Planifikimit dhe Buxhetit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, iu përgjigj pyetjeve dhe kritikave të deputetëve gjatë diskutimeve në lidhje me buxhetin për vitin 2025 të ministrisë që udhëheq ai.
Ai iu përgjigj kritikave dhe akuzave për "bandën Yenidoğan", përfshirë edhe pamje të ndryshme. "Unë do t'u përgjigjem të gjitha gënjeshtrave dhe shpifjeve për procesin që reflektohet në publik si 'banda Yenidoğan' të cilën ne e quajmë 'bandën e atyre që s'kanë lidhje me njerëzimin (bandë çnjerëzore)' dhe me gjithë sinqeritetin tim, para jush do të ndaj me popullin tim të vërtetën. Elementët e pretenduar do t'i shpjegoj një nga një në përputhje me kronologjinë e tyre", tha Memişoğlu.
- Pretendimet se "në vitin 2016 është mbyllur hetimi për neonatalët"
Lidhur me pretendimet se "një hetim i kryer nga Ministria e Shëndetësisë për çështjen e neonatalëve në vitin 2016 u mbyll nga ai si drejtor shëndetësor rajonal i Istanbulit", ministri Memişoğlu vuri në dukje se hetimi në fjalë ka nisur me një njoftim (denoncim) me e-mail në janar 2016 dhe një kryeinspektor u caktua nga Ministria.
Kryeinspektori dosjen e hetimit të cilën e plotësoi në përputhje me raportin e ekspertit e dorëzoi më 17 nëntor 2016 tek Shefi i Shërbimeve të Inspektimit të Ministrisë së Shëndetësisë, shpjegoi Memişoğlu i cili tha se "Në ekspertizën e përfshirë në dosje thuhet se 'sipas të dhënave ekzistuese nuk ka konstatim që trajtimet e bëra gjatë periudhës neonatale kanë dëmtuar foshnjat‘".
Ndërsa në raportin e inspektorit thuhet se "nuk ka nevojë për asnjë procedurë pasi kuptohet që foshnjat nuk janë dëmtuar nga trajtimet". Hetimi ka përfunduar me miratim nga Nënsekretariati i Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2016".
Ndërkohë, pasi ka treguar ekspertizën dhe mendimin e inspektorit, të cilat janë përfshirë edhe në dosjen e hetimit, Memişoğlu tha se për të njëjtën çështje, nga kryeinspektori i asaj kohe është ngritur akuzë se pretendimet për faturat e larta të trajtimit duhet të shqyrtohen nga ISSH-ja dhe se pretendimet që disa mjekë kanë kryer shërbim në spitalet private në kundërshtim me legjislacionin, duhet të shqyrtohen nga Shoqata e Mjekëve Turq.
"Të pretendosh se ky hetim është mbyllur për shkak se unë u emërova si drejtori rajonal i shëndetësisë në tetor 2016, është me shprehjen më të lehtë pandërgjegjshmëri. Është injorancë të mendosh se një hetim i kryer nga institucioni qendror i ministrisë, mund të mbyllet nga drejtoria rajonale. Përkundrazi, me shkresën që kam treguar këtu, si drejtor rajonal i shëndetësisë që kam filluar detyrën më 6 tetor jam unë i cili personalisht jam shqetësuar për foshnjat tona dhe që më 15 nëntor 2016 kam kërkuar informacione dhe dokumente lidhur me inspektimin nga Ministria e Shëndetësisë", tha Memişoğlu.
Ai thekson se Ministria i është përgjigjur kësaj shkrese më 29 nëntor 2016, duke thënë se nuk janë konstatuar elementë kriminalë dhe se inspektimi ka përfunduar nga Ministria. "Teksa nuk kishte prova për dëmtim të foshnjave në raportin e kryeinspektorit, pretendimet e pabaza duke u bazuar në të njëjtin raport, është shpifje e qartë", tha Memişoğlu.
Ministri ndau edhe pamjen e shkresës që kishte shkruar në lidhje me dhënien e informacionit për inspektimet e kryera më 15 nëntor 2016.
- Ndaj objekteve shëndetësore private janë kryer 54.885 inspektime
Lidhur me pretendimet se "nuk inspektohen objektet private shëndetësore, veçanërisht njësitë e kujdesit intensiv neonatal", Memişoğlu tha se sigurimi që foshnjat të kalojnë fazën neonatale në mënyrën më të shëndetshme është një nga fushat që Ministria i kushton më shumë vëmendje dhe është një nga fushat ku programi i transformimit është më i suksesshëm në shëndetësi".
Ai vuri në dukje se autoritetet shëndetësore e pranojnë shkallën e vdekshmërisë foshnjore si një nga parametrat më të rëndësishëm që tregon zhvillimin e vendeve dhe vuri në dukje se shkalla e vdekshmërisë foshnjore e cila ishte 31.5 për 1.000 lindje të gjalla në vitin 2002, u ul në 9.8 në vitin 2023.
Duke kujtuar se Bordet Rajonale të Inspektimit janë krijuar që nga viti 2009 për të zbuluar të gjitha vdekjet e foshnjave deri në moshën 1-vjeç dhe shkaqet e tyre, për të marrë masat e nevojshme dhe për të ekzaminuar çdo vdekje foshnjore veç e veç, Memişoğlu tha se inspektimet e institucioneve private shëndetësore zhvillohen nga ekipet e ekspertëve në tre lloje të ndryshme, si të zakonshëm, të jashtëzakonshëm dhe në përfundim të afatit, dhe se të gjitha institucionet shëndetësore private inspektohen të paktën një herë në vit.
"Ekipet tona të inspektimit vetëm në vitin 2024 kanë kryer ndaj objekteve shëndetësore private gjithsej 54.885 inspektime, nga të cilat afërsisht 46 mijë të zakonshme, 6 mijë të jashtëzakonshme dhe 3 mijë përfundim afati. Si rezultat i këtyre inspektimeve, sipas konstatimeve të parregullsive, janë bërë pezullime të veprimtarisë, janë vendosur gjoba administrative dhe u bënë kallëzime penale", shtoi Memişoğlu.
- "Ne e rrëzuam këtë bandë duke punuar në koordinim të plotë"
Duke theksuar se sistemi i kontrollit zbatohet me përpikëri por të gjitha sistemet e inspektimit dhe kontrollit janë krijuar duke marrë parasysh parregullsitë apo kundërshtitë që mund të parashikohen në rrjedhën e zakonshme të jetës, Memişoğlu tha: "Bëhet fjalë për një ngjarje kriminale në 'bandën e atyre që s'kanë lidhje me njerëzimin (çnjerëzore)' i cili është i vështirë të imagjinohet në rrjedhën e zakonshme të jetës".
"Në rastet kur është e vështirë të provohet, si në veprimet e kësaj organizate të neveritshme, është e nevojshme të përdoren metoda të veçanta, përveç procedurave të zakonshme të kontrollit. Pikërisht këtë kemi vepruar këtu. E shkatërruam këtë bandë duke punuar në koordinim të plotë me Drejtorinë tonë të Shëndetësisë, njësitë ligjzbatuese dhe autoritetet gjyqësore. Me sa duket ka pasur nga ata që janë shqetësuar nga kjo dhe kanë nisur sulm të pamëshirshëm ndaj nesh".
Më tej ministri tha: "Siç dëshmuam me trishtim këtu, disa grupe kanë lënë atë që nuk ka turp, që janë të pafytyrë, hajdutin dhe vrasësin; ndërsa duke mos pasur turp kanë shpifur për ata që punuan 'me mish e me shpirt' për të zbardhur këtë çështje. Pavarësisht se çfarë thonë ata, ne nuk do të heqim dorë nga ajo që e dimë se është e drejtë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjërat e duhura".
- "Padrejtësi e madhe që 1.5 milion profesionistët tanë të shëndetësisë vihen në dyshim"
Duke iu përgjigjur pretendimeve se "Ministria e Shëndetësisë mbeti spektatore për vdekjet e të porsalindurve (neonatalëve)", Memişoğlu tha se një mjek që nuk cenon etikën dhe ndërgjegjen e tij profesionale nuk mund të mbetet spektator deri në vdekje dhe prandaj operacionin "banda yenidoğan" e kanë emërtuar "operacionin për pastrimin e mollëve të kalbura".
"Ashtu siç mund të ketë njerëz që shkelin rregullat profesionale, vlerat morale dhe të ndërgjegjshme, apo edhe të angazhohen në krime në profesione të tjera, fatkeqësisht shembuj të tillë të këqij mund të ndodhin edhe tek profesionistët tanë të shëndetësisë, ndonëse në një shkallë shumë të ulët", tha ai.
"Duke u nisur nga kjo, është padrejtësi e madhe që 220 mijë kolegët tanë madje 1.5 milion punonjësit tanë të shëndetësisë të vihen në dyshim. Detyra jonë është të gjejmë ata që bëjnë gabime, ata që ndjekin rrugë të paligjshme dhe ata që kryejnë krime dhe t'i largojmë ata nga sistemi duke i dhënë dënimin që meritojnë", potencoi Memişoğlu.
- "Nisja e hetimit gjyqësor është mundësuar nga ne"
Në fjalën e tij, ministri Memişoğlu tha se "Përballë pretendimeve, ne kontaktuam Departamentin e Policisë së Istanbulit me mendimin se procedurat klasike të Inspektimit nuk do të ishin të mjaftueshme dhe nisja e hetimit gjyqësor u sigurua nga ne me letrën tonë të datës 5 maj 2023. Në kontekstin e hetimit të kryer në kuadër të vendimit të konfidencialitetit nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Istanbulit Büyükçekmece, është kryer hetim efektiv duke përfshirë ndjekjen teknike dhe fizike nga njësitë e zbatimit të ligjit".
Ai tha se gjatë këtij procesi autoritetet e policisë kontaktuan Drejtorinë e Shëndetësisë Rajonale të Istanbulit dhe kërkuan inspektime të njëkohshme dhe të jashtëzakonshme për të rritur efektivitetin e ndjekjes teknike.
"Në këtë kuadër më 25 shtator 2023 u krye inspektimi i parë i njëkohshëm i jashtëzakonshëm për shërbimet e kujdesit intensiv neonatal të spitaleve private dhe u formua Komisioni i Vlerësimit të Inspektimit të Kujdesit Intensiv Neonatal për vlerësimin e gjetjeve", tha Memişoğlu duke shtuar:
"Më pas kemi kryer inspektim të jashtëzakonshëm të njëkohshëm në shërbimet e kujdesit intensiv neonatal të spitaleve private. Kemi kryer edhe 7 inspektime të jashtëzakonshme të njëkohshme më 31 tetor 2023, më 16 nëntor 2023, më 29 nëntor 2023, më 16 janar 2024, më 26 janar 2024, më 8 shkurt 2024 dhe më 9 shkurt 2024. Procesverbalet e këtyre inspektimeve i dërguam në mënyrë të fshehtë Departamentit të Policisë Rajonale të Istanbulit".
"Siç shihet nga kasetat që u bënë publike pas publikimit të aktakuzës; Më lejoni t'ju tregoj se sa efektive ishin inspektimet, si e zbuluan dhe e vendosën në panik grupin e krimit të organizuar dhe se si me atë panik u lanë prova nga anëtarët e kësaj organizate të neveritshme, të cilat do të pasqyrohen në aktakuzë".
- Ndau pamjet vizuale lidhur me bisedat telefonike të anëtarëve të organizatës
Ministri Memişoğlu tregoi pjesë nga bisedat telefonike të anëtarëve të organizatës në lidhje me inspektimet e kryera më 25 shtator, të cilat u pasqyruan edhe në aktakuzë.
Në incizimet në fjalë, anëtarët e grupit të krimit të organizuar lidhur me inspektimet kanë thënë se "Kanë zbuluar çdo lloj pune, korrupsion, çdo lloj parregullsie. Na kanë prishur punë", "Janë çmendur, nuk janë normale këto, nuk kam parë kurrë në jetën time një inspektim të tillë", "Drejtoria rajonale shëndetësore është fiksuar".
Pas paraqitjes së këtyre pamjeve, Memişoğlu tha se "Hetimi gjyqësor i nisur me kërkesën tonë u krye në fshehtësi nga prokuroria përkatëse. Për regjistrimet dhe të dhënat materiale dixhitale të përmendura sot këtu, ministria jonë u vendos në dijeni shumë më vonë pas kryerjes së operacionit të bandës".
Duke shpjeguar se prokuroria ndau regjistrimet me inspektorët e Ministrisë së bashku me dokumente të tjera më 9 maj 2024 dhe ia dorëzoi inspektorëve materialet dixhitale, përfshirë gjetjet më të rëndësishme si bisedat në WhatsApp dhe imazhet telefonike dhe kompjuterike të të dyshuarve më 3 shtator 2024, Memişoğlu tha:
"Të kujtojmë sërish, kur është kryer operacioni kundër kësaj organizate të krimit të organizuar, më 26 prill 2024. Dhe si rezultat i këtij operacioni, të dyshuarit u ndaluan më 26 prill 2024 dhe shumica e tyre u arrestuan. Prandaj, organizata e krimit të organizuar në fakt u shkatërrua më 26 prill 2024. Të gjitha krimet e vrasjes me dashje nga pakujdesia të cilat janë pasqyruar në aktakuzë, kanë ndodhur para datës 26 prill 2024".
"Pse po i shpjegoj këto? Shikoni, 6 muaj pas operacionit, pasi u bë publike aktakuza, pasi u zbuluan të gjitha materialet dixhitale, disa njerëz dolën në ekranet televizive dhe bënë shpifje të ndyra sikur ne e kemi ditur këtë informacion dhe nuk kemi bërë asgjë. Miq, për shkak të ecurisë së hetimeve sekrete dhe natyrës së punës, dhe këtë nuk e them për të fajësuar askënd, ne e kemi marrë vesh këtë pothuajse në një kohë me publikun për këto regjistrime dhe ekzaminime materiale dixhitale", tha Memişoğlu.
Ai tërhoqi vëmendjen se hetimi deri tek regjistrimet e kasetave dhe gjetjet e materialeve dixhitale ishte një hetim për "mashtrim të kualifikuar" dhe se krimi i "shkaktimit të vdekjes" doli në pah me këto të dhën. Memişoğlu tha se duke marrë parasysh datën e aksesit në të dhënat nuk do të ishte e mundur që ata të parandalonin një çështje për të cilën ata nuk ishin në dijeni.
- Lidhja shkakësore për vdekjet foshnjore u vendos për herë të parë më 16 shtator
Memişoğlu tha se ka pasur pretendime se "pavarësisht vdekjeve të foshnjave, nuk është marrë asnjë masë ndaj spitaleve private përkatëse". "Siç e kemi deklaruar shumë herë më parë, nga data 5 maj 2023 kur nisi hetimi dhe deri më 26 prill 2024 kur u krye operacioni organet gjyqësore në kuadër të vendimit të konfidencialitetit nuk ndanë asnjë dokument me Ministrinë tonë në lidhje me përmbajtjen e hetimit", tha ai.
"Hetimi nëse ka lidhje shkakësore mes vdekjes së foshnjave dhe veprimeve të organizatës është kërkuar nga ne për herë të parë në datën 28 qershor 2024. Pas këtij njoftimi ka nisur lidhja shkakësore mes vdekjeve dhe veprimeve të bandës. Inspektorët tanë kanë ekzaminuar mijëra faqe dokumentesh dhe materialesh me përpjekje të jashtëzakonshme. Ekzaminimi i nevojshëm mjekësor është kryer nga një grup ekspertësh i përbërë nga tre profesorët tanë që janë ekspertë të fushës së tyre. Në raportin e përgatitur nga grupi i ekspertëve i datës 16 shtator 2024 theksohet mendimi se të dyshuarit janë përgjegjës për vdekjen e foshnjave", tha ministri i Shëndetësisë.
Memişoğlu tha se në hetimin që vazhdonte nën titujt e korrupsionit, parregullsisë dhe mashtrimit të kualifikuar, u konstatua zyrtarisht për herë të parë lidhja shkakësore mes veprimeve të grupit të krimit të organizuar dhe vdekjes së foshnjave. "Unë e paraqes në vëmendjen tuaj edhe një herë datën 16 shtator 2024. Kjo është data kur janë bërë provat lidhur me vdekjet e foshnjave. Opinioni mjekësor në fjalë i është dërguar Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Büyükçekmece-s", tha ai.
- "Këto spitale u mbyllën në të njëjtën ditë"
Ministri Memişoğlu tha se shqyrtimi i inspektorit përfundoi më 28 shtator 2024 dhe iu dorëzua Bordit të Inspektimit. "Raporti i hetimit prej 5 mijë faqesh dhe shtesat e tij u shqyrtuan nga raportuesit e Bordit të Inspektimit. Miratimi për zbatimin e raportit është marrë më 18 tetor 2024. Në raportin përkatës u rekomandua mbyllja e spitaleve private në të cilat janë konstatuar parregullsi dhe po atë ditë u mbyllën edhe këto spitale", tha ai.
"Të gjithë duhet ta dinë se si një mjek që kam qëndruar kundër çdo lloj padrejtësie, paligjshmërie dhe parregullsie gjatë gjithë jetës sime, kam marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar kryerjen e krimeve të tilla që lëndojnë ndërgjegjen e kombit tonë, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë", tha mes tjerash Memişoğlu.