Zuhal Demirci
05 shkurt 2022•Përditësim: 07 shkurt 2022
Një variant shumë virulent i HIV-it është zbuluar në Holandë, sipas një studimi shkencor, transmeton Anadolu Agnecy (AA).
Analiza, e publikuar në revistën Science, e më shumë se 100 pacientëve me HIV zbuloi se ata që kontraktuan variantin, i njohur si VB, kishin midis 3,5 deri në 5,5 herë nivele më të larta të virusit në gjakun e tyre, duke i bërë ata më të prirur për të transmetuar virusin.
Gjetjet janë rezultat i një studimi të përbashkët nga Instituti i të Dhënave të Mëdha të Universitetit të Oksfordit dhe Fondacioni Holandez i Monitorimit të HIV-it.
Sipas revistës, varianti gjithashtu duket se çon në reduktimin e qelizave imune. Rrjedhimisht, njerëzit e infektuar janë në rrezik të zhvillimit të SIDA-s shumë më shpejt se ata të infektuar me versionet tjera të HIV-it.
Megjithatë, revista pohoi se varianti i ri është po aq i trajtueshëm sa HIV-i i zakonshëm dhe mund të zbulohet duke përdorur të njëjtat teste diagnostikuese që përdoren për variantet e tjera të HIV-it.
Varianti i ri u zbulua përmes një projekti të njohur si Beehive, i cili synonte të shqyrtonte lidhjet midis gjenetikës së HIV-it dhe ashpërsisë së sëmundjes.
Megjithatë, studimi potencon se vetëm 109 persona dihet se kanë VB, 107 prej të cilëve janë në Holandë, duke shtuar se mund të ketë më shumë njerëz të infektuar.
Analiza gjenetike sugjeron se varianti ka qenë në qarkullim që nga fundi i viteve 1980, duke u shfaqur në vitet 1990 në Holandë. Në vitet 2000, vlerësohet të ketë eklipsuar variantet e tjera të HIV-it në numrin e infeksioneve, megjithëse ka qenë në rënie pas vitit 2008, sipas revistës.