Sport, aktualiteti-sportiv, football, archive

Ambasadori i Serbisë në Tiranë takim në Federatën Shqiptare të Futbollit

Në qendër të bisedimeve ka qenë ndeshja e 8 tetorit, Shqipëri – Serbi, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”.

09.09.2015 - Përdıtësım : 09.09.2015
Ambasadori i Serbisë në Tiranë takim në Federatën Shqiptare të Futbollit

TIRANË (AA) - Ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç, ka realizuar sot në mesditë një takim pune në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), ku është pritur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, raporton Anadolu Agency (AA).

Burimet zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit bëjnë të ditur se në qendër të bisedimeve ka qenë ndeshja e 8 tetorit, Shqipëri – Serbi, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”.

Takimi ka qenë informues dhe pas përfundimit të tij, ambasadori serb dhe Presidenti i FSHF, u janë përgjigjur interesimit të mediave.  “Ishte kënaqësi që u pritëm në këtë takim në Federatën Shqiptare të Futbollit. Sigurisht biseduam për ndeshjen e ardhshme mes dy kombëtareve tona. Kemi besim tek institucioni i futbollit shqiptar dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mjaft mirë, në këtë ndeshje. Falënderoj Presidentin Duka për pritjen dhe angazhimin e tij”-u shpreh ndër të tjera ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç.

Ndërsa Presidenti i FSHF-së Armand Duka u shpreh se: “Ky ishte një takim me karakter informues, në lidhje me ndeshjen e ardhshme Shqipëri –Serbi. Shkëmbyem informacione të nevojshme dhe biseduam në frymën e bashkëpunimit, në mënyrë që të kalojë sa më mirë zhvillimi i saj”. 

Duka ndër të tjera ka deklaruar se: “Kemi një muaj që kemi nisur punën në lidhje me organizmin e kësaj ndeshjeje. Unë kam bindjen se gjithçka do të shkojë mirë dhe i bëj thirrje të gjithëve, që të na mbështesin për këtë. Tifozët shqiptarë, nuk kanë qenë asnjëherë problematikë si brenda edhe jashtë Shqipërisë. Duke bashkëpunuar, do të arrijmë që gjithçka të kalojë pa problem”- u shpreh ai.

Ndërkohë më parë Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se ndeshja  Shqipëri –Serbi që është planifikuar për tu zhvilluar në muaj tetor të këtij viti do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın