Sport

Bernard Challandes, trajner i ri i kombëtares së Kosovës

“I kam parë të gjitha ndeshjet. Deri më tani kanë bërë punë të madhe, por duhet të punojmë edhe më shumë për të fituar eksperiencë dhe progres", tha trajneri i ri i Kosovës, Challandes

Sibel Vezaj  | 02.03.2018 - Përdıtësım : 03.03.2018
Bernard Challandes, trajner i ri i kombëtares së Kosovës Erkin Keçi/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Federata e Futbollit të Kosovës ka prezantuar Bernard Challandes si trajner të ri të të kombëtares së futbollit të këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri tha se Challandes ka një CV impresionuese dhe se arsyeja që kanë zgjedhur Challandes janë përparësitë e tij meqë ka lojtarë të shumtë shqiptarë që luajnë në Zvicër.

“Për kombëtaren e Kosovës mendoj se është një zgjidhje shumë e qëlluar. Mirëpo, futbolli ka befasitë e veta dhe ajo mbetet të shihet në fushën e gjelbër. Nuk dyshoj se do të bëjmë punën më të mirë të mundshme me Challandes. Unë potencoj përsëri se kemi patur 2-3 emra të njohur mirëpo diku ka patur mungesë të eksperiencës së atyre trajnerëve. Diku nuk përputheshim sepse është dashur që të shikojmë edhe anën ekonomike dhe mendoj se për ne është zgjidhje ideale”, tha Vokrri.

Ndërsa trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës Challandes u shpreh se ndjen kënaqësi të madhe për të punuar për Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai tha se Kosova si një shtet i ri ka një ekip të ri dhe se duhet punuar më shumë për të fituar eksperiencë dhe progres.

“I kam parë të gjitha ndeshjet. Deri më tani kanë bërë punë të madhe, por duhet të punojmë edhe më shumë për të fituar eksperiencë dhe progres. Ekipi është i formuar por dua të krijoj më shumë, një familje në ekip. Është shumë me rëndësi, duhet të jenë më të lidhur bashkë. Ne kemi shumë lojtarë në Zvicër por edhe jashtë. Do të formojmë një ekip shumë të mirë”, tha Challandes.

Ai po ashtu bëri të ditur se është duke i përcjellë të gjitha gjeneratat U17, U19 dhe U21 dhe se do të punojë me të gjithë trajnerët e tyre për të formuar një ekip të ri dhe shumë të fortë. Ai thotë se i njeh mirë futbollistët e Kosovës dhe mentalitetin e tyre meqë ka punuar me shqiptarë të shumtë në Zvicër.

Vokrri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve tha se kontrata është dy vjeçare por se çështja financiare është konfidencialitet.

Gjatë konferencës, Vokrri dhe Challandes nënshkruan kontratën dhe kryetari i FFK-së ia dhuroi trajnerit të ri fanellën e kombëtares së Kosovës.

Challandes ka punuar në klube të ndryshme zvicerane si Le Locle, La Chaux-de-Fonds, Yverdon Sports, Young Boys, Servette, Zürich, Sion, Neuchâtel Xamax dhe Thun si dhe si trajner i U21 të Zvicrës dhe kombëtares së Armenisë.

Kujtojmë se Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA në maj të vitit 2016, nëpërmjet së cilës u bë pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin "Rusi 2018", ku nga 10 ndeshjet në grupin I arriti të fitojë vetëm 1 pikë. Deri më tani trajnerë të kombëtares së Kosovës ishin Albert Bunjaki dhe Muharrem Sahiti.

Kosova do të jetë pjesë edhe në Ligën e Kombeve, garë e re e UEFA-s, e cila do të nisë në shtator të këtij viti dhe do të zhvillohet çdo dy vjet ku do të marrin pjesë të gjitha kombëtaret evropiane. Në tërheqjen e shortit Kosova u përfshi në grupin 3 të Ligës D, ku do të garojë së bashku me Azerbajxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe.











Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın