Dejan Maksimoviç
07 Tetor 2017•Përditësim: 07 Tetor 2017
ZAGREB (AA) – Kombëtarja e Kroacisë në futboll me barazimin e mbrëmshëm në fushë të vet kundër Finlandës ka vënë në pikëpyetje kualifikimin në kampionatin botëror. Nga shkaku i një sërë rezultatesh të dobëta është shkarkuar seleksionuesi Ante Çaçiç, ndërsa Federata Kroate e Futbollit (HNS) zëvendësimin e ka gjetur te Zllatko Daliç, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kroatët kishin një rast të shkëlqyer të kualifikohen për Rusi 2018 meqë në pesë xhirot e para të grupit “I”, ata kryesonin tabelën me 13 pikë, por që nga atëherë, kroatët mundën vetëm Kosovën me një rezultat minimal 1:0, ndërsa pësuan humbje nga Turqia dhe Islanda, dhe së fundmi barazuan me Finlandën e cila kishte humbur të gjitha gjasat për kualifikim.
Kroacia ka para vetes një mision të pamundur sepse për tu kualifikuar, do të duhet që Kosova të mund Islandën në fushë mysafiri, ndërsa Kroacia në Kiev të triumfojë kundër Ukrainës.
Kroacisë i mbetet rasti që “vizën” për në Rusi ta sigurojë përmes barazhit, por edhe këtu do ti nevojitet fillimisht një fitore kundër Ukrainës sepse në rast të barazimit, Kroacia mund të eliminohet si ekip i nëntë.
Trajneri i ri Daliç është i njohur për opinionin shqiptar pasi për një kohë ka drejtuar Dinamon e Tiranës.