Kemal Zorlak
03 shtator 2026•Përditësim: 03 shtator 2026
Edin Dzeko, kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së futbollit të Bosnjë e Hercegovinës, ka njoftuar se po i jep fund karrierës së tij me kombëtaren, transmeton Anadolu.
Dzeko përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook konfirmoi se ndeshja e ardhshme kundër Suedisë do të jetë e fundit për të me fanellën e kombëtares.
"Ndonjëherë e kam pyetur veten se kur do të vinte ky moment, por kurrë nuk kam mundur ta imagjinoj se sa emocional do të isha duke i shkruar këto fjalë. Më 2 tetor, kundër Suedisë, do të luaj ndeshjen time të radhës dhe të fundit për kombëtaren tonë", tha Dzeko.
Në postimin e tij, ai theksoi se asgjë në karrierën e tij të pasur nuk mund të krahasohet me ndjenjën dhe krenarinë që ka përjetuar duke luajtur për kombëtaren.
"Asgjë në karrierën time nuk mund të krahasohet me krenarinë që kam ndier sa herë që kam veshur atë fanellë. Asgjë. Ishte ëndrra ime e fëmijërisë, një ëndërr që e mbajta me vete në secilën prej 151 herëve kur pata nderin ta përfaqësoja vendin tim në fushën e futbollit. Gjithmonë kam qenë po aq krenar që e vishja, ashtu si herën e parë", shkroi kapiteni i "Dragonjve".
Duke kujtuar fillimet dhe rrugëtimin e tij shumëvjeçar me ekipin kombëtar, Dzeko theksoi se kanë kaluar pothuajse dy dekada nga debutimi i tij.
"Kanë kaluar pothuajse 20 vjet nga ajo ndeshje kundër Turqisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë, kam ndryshuar edhe unë, por dashuria ime për këtë fanellë nuk ka ndryshuar kurrë. Tani e ndiej se ka ardhur koha të tërhiqem. Nëse kam arritur deri në moshën 40-vjeçare me kombëtaren, kjo është sepse kam dhënë gjithçka që kam pasur. Çdo herë. Gjithçka", theksoi ai.
Duke folur për momentet më të rëndësishme të karrierës së tij me kombëtaren, Dzeko veçoi kualifikimin historik në Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014 si dhe fitoret dhe golat e paharrueshëm para tifozëve vendas.
Në fund të mesazhit, ai u bëri thirrje të gjithë tifozëve që më 2 tetor të jenë pranë kombëtares, për të ndarë së bashku edhe një emocion të madh në ndeshjen e tij të lamtumirës. Dzeko debutoi me kombëtaren e Bosnjë e Hercegovinës më 2 qershor të vitit 2007, duke zhvilluar 151 ndeshje dhe duke shënuar 73 gola.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube si Manchester City, Wolfsburg, Roma, Milan, Inter, Fenerbahçe, Teplice dhe Zheljezniçar.