Can Erözden
23 Dhjetor 2022•Përditësim: 26 Dhjetor 2022
Federata e Futbollit të Francës (FFF) të enjten paraqiti një ankesë kundër përqeshjes që bëri portieri argjentinas Emiliano Martinez ndaj yllit francez Kylian Mbappe gjatë festimit të fitores, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kjo shkoi shumë larg (pas provokimeve të Martinezit)", i shkroi shefi i federatës franceze të futbollit Noel Le Graet homologut të tij të Federatës së Futbollit të Argjentinës dhe shtoi se "teprime të tilla janë jonormale" në një garë sportive.
"E kam të vështirë ta kuptoj. Sjellja e Mbappe-s ishte shembullore", deklaroi ai për të përditshmen lokale "Ouest-France".
"Ne kemi nisur procedura të ndryshme", tha Le Graet, duke konfirmuar se FFF ka paraqitur një ankesë kundër Martinezit.
"Shumë është tronditëse. Këta janë djem që dhanë maksimumin e tyre që ekipi francez të ketë sukses. E rëndësishme është që ne t'i mbështesim ata", shtoi ai.
Martinez, 30-vjeç, e përqeshi sulmuesin francez Mbappe gjatë paradës së fitores së Argjentinës në Buenos Aires duke mbajtur një kukull fëmijësh me fytyrën e sulmuesit francez mbi të.
Pas finales që Argjentina fitoi kundër Francës në penalti, Martinez talli Mbappe-n, duke i kërkuar të gjithë ekipit të mbajë një minutë heshtje.
"Një minutë heshtje për Mbappe-n!", tha ai ndërsa i gjithë ekipi po festonte fitoren në dhomën e zhveshjes.
Të dielën, Argjentina e udhëhequr nga Lionel Messi mposhti Francën në penalti me rezultatin 4:2 duke fituar Kupën e Botës 2022 në Katar.