Dejan Maksimoviç
09 Gusht 2017•Përditësim: 10 Gusht 2017
PARIS (AA) – Futbollisti brazilian Neymar, as gjatë kësaj fundjave mund të mos debutojë për klubin e tij të ri Paris Saint-Germain, meqë Federata Spanjolle e Futbollit është duke zvarritur procedurat lidhur me dërgimin në Francë të certifikatës e cila është e domosdoshme për regjistrimin e Neymarit në Federatën Futbollistike të Francës, dhe pastaj në ligën profesioniste të futbollistëve (LFP), raporton Anadolu Agency (AA).
LFP thotë se afati për regjistrimin e lojtarit skadon të enjten në mesnatë, dhe nëse deri atëherë nuk sigurohet certifikata, Neymar do të jetë i detyruar të lëshoj ndeshjen e së shtunës të cilën PSG e luan kundër Guingampit.
LFP shpreh befasinë e saj lidhur me veprimet e federatës spanjolle, për të shtuar se vonesa e certifikatës do ti detyrojë ata të ankohen në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA).
Organizata e cila menaxhon me ligat profesioniste në Spanjë, La Liga, ka shprehur dyshimin se gjatë transferimit të Neymarit, PSG ka shkelur rregullin “fair-play financiar” të Federatës Evropiane të futbollit, UEFA.
Lidhur me transferimin e Neymarit, ish klubi i tij Barcelona ka njoftuar se do ta denoncojë PSG-në në UEFA, ndërkohë që klubi i tanishëm PSG thotë se veprimi i La Ligës është antiligjor dhe u ka bërë thirrje spanjollëve tu përmbahen rregullave të FIFA-s.
Rikujtojmë se për transferimin e Neymarit nga Barcelona, PSG pagoi 222 milionë euro. Megjithatë, paratë për kompensim nuk u paguan nga klubi Parisien, por personalisht nga Neymar.