FFK: Racizmi dhe thirrjet anti Kosovës në Rumani, sulm ndaj vlerave të futbollit dhe dinjitetit të Kombëtares
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes”, tha FFK
Prishtinë
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), në një reagim publik një ditë pas ndeshjes Kosovë-Rumani në Bukuresht, ka dënuar ashpër provokimet dhe sjelljet raciste që ndodhën gjatë ndeshjes, në kuadër të Ligës së Kombeve (UEFA Nations League), transmeton Anadolu.
Në reagimin e FFK-së, bëhet e ditur se ndeshja u ndërpre për shkak “të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti Kosovës nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e 'fair play-it', vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-së”.
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në reagim.
Sipas FFK-së, kjo federatë kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-së për mundësinë e veprimeve të tilla, por, pavarësisht kësaj, tifozët rumunë kanë vazhduar “me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese”.
FFK-ja thotë se ndeshja e cila u ndërpre me rezultat 0-0 shkoi duke u përshkallëzuar me kohë, për shkak të thirrjeve raciste dhe provokuese të tifozëve dhe lojtarët e Kosovës “zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-së dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-së dhe FIFA-s”.
Tutje, FFK-ja thotë se përpos asaj që ndodhi në stadium, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas, në një veprim të papranueshëm, kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit.
“Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK-ja ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankesë të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-së”, thuhet në reagim.
Në fund të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës janë paraqitur tensione. Kapiteni Rrahmani është konfrontuar me futbollistin rumun Alibec, ndërsa më pas janë përfshirë edhe lojtarë të tjerë. Për këtë gjë, kapiteni i ekipit kosovar Amir Rrahmani u ndëshkua me karton të verdhë, në tribuna vazhduan thirrjet anti Kosovës, derisa lojtarët e Kosovës kërkuan që ndeshja të ndërpritet, duke u larguar nga stadiumi dhe mos u kthyer më.
Për këtë situatë ka reaguar edhe UEFA, e cila lajmëroi ndërprerjen e ndeshjes dhe tha se “do të dalë me informacione të mëtejme në kohën e duhur”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.