Bekim Laci
03 Janar 2018•Përditësim: 03 Janar 2018
SHKUP (AA) - Futbollisti i përfaqësueses kroate, Domagoj Vida është përforcimi më i ri i kampionit aktual të Turqisë, Beshiktashit, pasi të mërkurën vendosi nënshkrimin në kontratën e cila e lidh me skuadrën nga Stambolli në 4.5 vitet e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Futbollisti kroat kishte në tavolinë ofertat e Milanit dhe Evertonit, por ai parapëlqeu kampionin turk.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në stadiumin e Beshiktashit, Vodafone Park, ku krahas Vidës u shfaq edhe drejtori i klubit Fikret Orman. Në fjalimin e tij pas zyrtarizimit të transfertës, Vida tha se nga tani e tutje, lufta e tij në fushën e blertë do të jetë për Beshiktashin.
“Vendimin për të ardhur në Beshiktash e mora duke qenë akoma lojtar i Dynamo Kievit. Në kohën sa po prisja skadimin e kontratës, kam ndjekur nga afër Beshiktashin, dhe isha i impresionuar me paraqitjen e klubit, sidomos në Ligën e Kampionëve. Nga tani e tutje, do të luftoj për klubin tim të ri duke e ndihmuar të avancojë edhe më shumë në Evropë”, tha Vida i cituar nga ueb faqja zyrtare e klubit
Nga shkaku i një dëmtimi në fushë, Vida nuk ka luajtur që nga 12 nëntori, ndërsa ndeshja e tij e fundit ka qenë ajo mes përfaqësueseve të Greqisë dhe Kroacisë. Në Kiev qëndroi katër vite, duke regjistruar mbi 100 paraqitje për Dinamon.