Dejan Maksimoviç
18 Prill 2019•Përditësim: 19 Prill 2019
Futbollistët e Manchester Cityt dhe Tottenhamit mbrëmë kanë luajtur një nga klasiket e kohës moderne në Ligën e Kampionëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lojën e kthimit të çerekfinales, "qytetarët" fituan me rezultatin 4:3 por për shkak të fitores 1-0 në ndeshjen e parë mysafirët nga Londra vazhduan më tej. Pas ndeshjes, trajneri i Cityt, Josep Pep Guardiola, tha se eliminimi ishte vështirë, por se duhet ta pranojnë.
"Kjo ishte e vështirë por duhet ta pranojmë. Luftuam 9, 10 muaj për Premier Ligën. Ajo është në dorën tonë. Do të jetë vështirë deri në fund, por duhet të fitojmë titullin. Krenohem me lojtarët dhe tifozët. Që kur erdha në Manchester City nuk kam dëgjuar zhurmë të tillë nga tribunat, por futbolli është i paparashikueshëm", tha Guardiola.
Në betejën për kampionatin e Anglisë, rivali i parë i radhës është përsëri Tottenhami në Etihad.
"Duhet të reagojmë pozitivisht të shtunën. Por, tani nuk do të mendojmë shumë për këtë, është e rëndësishme të përmirësohemi dhe pastaj të përgatitemi për atë ndeshje", tha Guardiola pas eliminimit në ndeshjen e mbrëmshme.
Në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, mbrëmë përveç Tottenhamit, u kualifikua dhe Liverpooli, i cili pas fitores 2-0 në Anfield gjithashtu korri fitore edhe në Porto me rezultatin 4:1.
Çiftet e gjysmëfinales janë: Tottenham - Ajax dhe Barcelona - Liverpool. Ndeshjet e para do të luhen më 30 prill dhe 1 maj, ndërkaq ndeshjet e kthimit janë më 7 dhe 8 maj. Ndeshja finale e këtij viti në Ligën e Kampionëve në program është më 1 qershor në stadiumin "Wanda Metropolitano" në Madrid.