Dejan Maksimoviç
08 Dhjetor 2018•Përditësim: 09 Dhjetor 2018
TORINO (AA) – Mediat italiane raportojnë se klubi i futbollit Juventus i ka ofruar sulmuesit të Kroacisë, Mario Manxhukiç, vazhdim të kontratës, me një ulje të pagës vjetore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ish-lojtari i përfaqësueses kroate mbrëmë edhe një herë ishte lojtar kryesor i "Zonjës së vjetër", duke shënuar golin e fitores kundër Interit, të shtatin këtë sezon në Serie A.
Mediat italiane mëngjesin e sotëm njoftuan se Juventusi dhe përfaqësuesit e lojtarëve po negociojnë një kontratë të re. Kontrata e tanishme e Manxhukiçit skadon në vitin 2020 ndërsa ajo e reja pritet të vazhdohet për dy apo tre vjet. Me sa duket Manxhukiçit do t'i shkurtohet paga në 3.5 milionë euro për tre vite, por kjo mund të kompensohet me bonuese të ndryshme.
Një marrëveshje e tillë do t'i mundësonte 32-vjeçarit Manxhukic të përfundojë karrierën e tij në fanellën e Juventusit.
Lojtari kroat arriti në Torino në vitin 2015 nga Atletico Madrid. Ai më parë ka luajtur për Marsonia, Zagreb, Dinamo, Wolfsburg dhe Bayern Mynih. Për "Zonjën e vjetër" ka luajtur 145 ndeshje dhe ka shënuar 42 gola. Në ekipin kombëtar të Kroacisë me të cilën fitoi medalje argjendi në Kampionatin Botëror "Rusi 2018" ka luajtur 89 herë dhe ka shënuar 33 gola.