Dejan Maksimovic
01 Nëntor 2021•Përditësim: 01 Nëntor 2021
Klubi i futbollit Tottenham nga Londra njoftoi se ka shkarkuar trajnerin Nuno Espirito Santo, i cili arriti të qëndrojë në stolin e klubit të Premierligës angleze vetëm katër muaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Klubi njofton se Nuno Espirito Santo dhe anëtarët e stafit të tij Ian Cathro, Rui Barbosa dhe Antonio Dias janë liruar nga detyrat e tyre”, thuhet në deklaratën e Tottenham-it.
Fabio Paratici, menaxher i përgjithshëm i klubit, për mediat britanike theksoi se e dinë se sa ishin të përkushtuar të arrijnë sukses Santo dhe bashkëpunëtorët e tij dhe se klubit i vjen keq që duhej të merrnin një vendim të tillë.
“Santo është një zotëri i vërtetë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur këtu. Duam ta falënderojmë atë dhe stafin e tij profesional dhe t'i urojmë gjithë të mirat në të ardhmen”, ka shtuar Paratici.
Trajneri portugez mori drejtimin e klubit këtë verë, pas katër sezoneve të shkëlqyera në stolin e Wolverhampton. Më parë, ai ka drejtuar klubet Rio Ave, Valencia dhe Porto gjatë karrierës së tij.
Tottenham është në vendin e tetë me 15 pikë pas dhjetë xhirove në Premierligë, ndërsa si pasues të tij përfolen emrat e trajnerit italian Antonio Conte dhe dy portugezëve Sergio Conceicao dhe Paulo Fonseca.