Agim Sulaj
01 Prill 2021•Përditësim: 01 Prill 2021
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka humbur 3-1 kundër Spanjës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022” në ndeshjen që u zhvillua në Sevilla, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në pjesën e parë Spanja shënoi dy gola, një në minutën e 34-të nga Daniel Olmo, ndërsa në minutën e 36-të nga Ferran Torres.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 për vendasit, ndërsa Kosova nuk pati ndonjë rast për gol duke zhvilluar më shumë lojë në mbrojtje.
Në pjesën e dytë, Kosova rrezikoi disa herë portën e kundërshtarit, por vetëm në minutën e 70-të shënoi gol nga distanca nëpërmjet Besar Halimit për të ngushtuar epërsinë në 2-1, pasi Halimi shfrytëzoi rastin kur portieri spanjoll doli jashtë portës.
Por vendasit kthyen epërsinë prej dy golash vetëm 5 minuta më vonë, kur në minutën e 75-të shënuan golin e tretë me Gerard Morenon për 3-1, rezultat me të cilin edhe u mbyll ndeshja.
Ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues, Kosova e humbi në Prishtinë të dielën nga Suedia me rezultatin 0-3.
Në ndeshjen e ardhshme, Kosova do të luaj si mysafire kundër Gjeorgjisë, më 2 shtator.