LeBron James, basketbollisti i parë që tejkalon shifrën e 50 mijë pikëve në NBA
LeBron James, ylli i Los Angeles Lakers u bë basketbollisti i parë që kaloi shifrën e 50.000 pikëve në karrierën e tij në NBA, përfshirë sezonin e rregullt dhe fazat "play-off"

Istanbul
LeBron James, ylli i Los Angeles Lakers të Ligës Amerikane të Basketbollit (NBA), u bë basketbollisti i parë që kaloi shifrën e 50.000 pikëve në karrierën e tij në NBA, përfshirë sezonin e rregullt dhe fazat "play-off", raporton Anadolu.
James, i cili mban rekordet për më shumë pikë të shënuara nga një basketbollist i NBA-së në sezonin e rregullt dhe në total (sezon i rregullt + play-off), la një tjetër moment historik në karrierën e tij të suksesshme në ligë, me fanellën e Los Angeles Lakers. Ai tashmë është në vitin e 22-të në NBA në ekipe të ndryshme.
Los Angeles Lakers zgjati serinë e fitoreve në shtatë ndeshje duke mposhtur New Orleans Pelicans me rezultat 136-115 ndërsa LeBron James me 34 pikë të shënuara në këtë ndeshje, hyri në histori duke kaluar shifrën prej 50 mijë pikëve në sezonin e rregullt dhe në "play-off".
LeBron James po krahasohet me Michael Jordan në debatet se kush është basketbollisti më i mirë në historinë e NBA-së ndërsa 40-vjeçari James vazhdon të përmirësojë rekordin e tij si basketbollisti me më shumë pikë të shënuara në NBA në sezonet e rregullta, të cilin e arriti në shkurt të vitit 2023.
Ai u zgjodh "All-Star" për herë të 21-të duke thyer rekorde në karrierën e tij si dhe duke kaluar shifrën prej 41 mijë pikëve në sezonin e rregullt.
- Vazhdon të thyej rekorde
LeBron James, basketbollisti me më shumë pikë të shënuara të sezonit të rregullt në NBA, vazhdon të thyejë rekorde të reja pavarësisht se është në moshën 40-vjeçare.
Ai arriti sukses të veçantë këtë sezon duke shënuar 42 pikë në fitoren 120-112 ndaj Golden State Warriors.
James ka barazuar rekordin e legjendës së NBA-së, Michael Jordan në shënimin e 40 ose më shumë pikëve në një ndeshje të NBA-së në moshën 40 vjeç e më lartë.
James u bë lojtari i dytë në historinë e NBA-së që regjistroi një "triple-double" pas moshës 40-vjeçare. I pari në këtë kategori ishte Karl Malone.
Top 5 lojtarët që kanë shënuar më shumë pikë në NBA janë si në vijim:
Renditja | Basketbollisti | Gjithsej pikë | Sezoni normal | Play-off | Viti |
---|---|---|---|---|---|
1. | LeBron James | 50.033 | 41.871 | 8.162 | 2003-ende luan |
2. | Kareem Abdul-Jabbar | 44.149 | 38.387 | 5.762 | 1969-1989 |
3. | Karl Malone | 41.689 | 36.928 | 4.761 | 1985-2004 |
4. | Kobe Bryant | 39.283 | 33.643 | 5.640 | 1996-2016 |
5. | Michael Jordan | 38.279 | 32.292 | 5,987 | 1984-2003 |
- Cavaliers-in e udhëhoqi në majat e NBA-së
Partneriteti mes yllit të basketbollit LeBron James, lindur në Akron të Ohio-s në SHBA dhe Cleveland Cavaliers, përfaqësueses së NBA-së nga i njëjti shtet, solli sukses në tentativën e tretë.
Pasi diplomoi në shkollën e mesme Saint Vincent-Saint Mary, James u zgjodh i pari në draftin e vitit 2023 të NBA-së nga Cavaliers. Ato humbën në finalet e vitit 2007 dhe 2015, por fituan kampionatin në vitin 2016.
- Dy kampionate të fituara me Miami Heat
LeBron James, i cili pothuajse i vetëm barti Cavaliers gjatë sezonit të tij të parë, të cilët nuk kishin mundësi për të ndërtuar një skuadër me synim për të fituar kampionatin, pas 7 sezonesh atje u transferua në Miami Heat.
Në vitin 2010, James u bashkua me lojtarët "All-star", Chris Bosh dhe Dwyane Wade, në Miami Heat.
Ylli i basketbollit arriti në finalet e NBA-së me Heat në të katër sezonet që luajti atje, duke fituar kampionatin në 2012 dhe 2013.
- Lakers-in e bëri kampion pas 10 vitesh
James, i cili u kthye te Cavaliers pas karrierës së tij në Heat dhe luajti atje për katër sezone të tjera, nënshkroi me Lakers në vitin 2020.
James udhëhoqi Lakers-in drejt një kampionati pas 10 vitesh në sezonin 2020.
- Çmimet e fituara
Gjatë gjithë karrierës së tij LeBron James ka fituar 4 kampionate në NBA (2012, 2013, 2016, 2020) dhe fitoi çmimin lojtari më i vlefshëm (MVP) nga 4 herë në sezonin e rregullt (2009, 2010, 2012, 2013) dhe në serinë e finaleve (2012, 2013, 2016, 2020).
Basketbollisti i suksesshëm theu rekordin e mbajtur nga Kareem Abdul-Jabbar duke u përzgjedhur si "All-Star" për të 20-ën herë vitin e kaluar. James u zgjodh "All-Star" për të 21-tën herë këtë sezon.
James, i cili u zgjodh tre herë si MVP në "All-Star" ndeshjet ku fitoi titullin e lojtarit që shënoi më së shumti pikë (2006, 2008, 2018), është në rendin e dytë pas Bob Pettit dhe Kobe Bryant, të cilët e arritën këtë sukses nga katër herë secili.
James ndan vendin e tretë me Wilt Chamberlain në mesin e lojtarëve që u zgjodhën më së shumti MVP gjatë sezonit të rregullt, pas Kareem Abdul-Jabbar (6), Bill Russell (5) dhe Michael Jordan (5).
LeBron James, i cili u zgjodh MVP në serinë e finaleve në të katër vitet që fitoi kampionatin, renditet i dyti në këtë drejtim pas Michael Jordan, i cili e arriti këtë sukses 6 herë.
Basketbollisti me nofkën "Mbreti" hyri 19 herë në 5 më të mirat e sezonit të NBA-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.