Emre Aşıkçı
08 Maj 2020•Përditësim: 08 Maj 2020
Lojtari më i vlefshëm i NBA-së, Giannis Antetokounmpo i Milwaukee Bucks kërkoi falje të enjten vonë pasi llogaria e tij në Twitter ishte hakuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Përshëndetje të gjithëve! Jam rikthyer dhe do të doja të trajtoj incidentin në mediat sociale që ndodhi sot më herët! Unë u hakova dhe situata aktualisht po hetohet. Tweet-et dhe postimet ishin jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe unë jam aq i zhgënjyer dhe i tmerruar që dikush mund të thoshte gjëra aq të tmerrshme që u thanë", u shpreh Antetokounmpo në Twitter.
"Ndihem i tmerruar se në postimet dashakeqe dhe të pavërteta ishin përfshirë edhe familjet e Bucks, Khris, Lebron dhe Curry. Ndihem veçanërisht i tmerruar për familjen Bryant, gjatë kohës së tyre të pikëllimit ata nuk duhet t'i nënshtrohen këtij lloji të sjelljes negative dhe të urryer. Ju faleminderit të gjithëve që gjithmonë keni përkrahur familjen time dhe mua dhe ju lutemi qëndroni të sigurt!", shtoi ai.
Hakeri apo hakerët, postoi fjalë të papërshtatshme pasi hakoi llogarinë e medias sociale të Antetokounmpo të enjten.
Vëllai i Giannis, Kostas Antetokounmpo, në një postim të përbashkët në Twitter, gjithashtu tha se përpos llogarisë në Twitter, janë hakuar telefoni, emaili dhe llogaritë bankare të vëllait të tij.
"Twitteri, telefoni, posta elektronike dhe llogaritë bankare të Giannis u hakuan! Ai sinqerisht kërkon falje për gjithçka që u postua në Twitter dhe ai do të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur! Gjërat që u thanë nga ky haker ishin jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe të neveritshme!", tha ai.
Antetokounmpo, me nofkën "fanatiku grek", deri tani ka regjistruar mesatarisht 29.6 pikë, 13.7 kërcime dhe 5.8 asiste me Bucks ndërsa ekipi i tij udhëheq Konferencën Lindore.