13 Prill 2017•Përditësim: 14 Prill 2017
STAMBOLL (AA) - Mutlu Demirtaştan
Stinori i rregullt 2016-2017 i Ligës Amerikane të Basketbollit (NBA) ka hyrë në listën e stinorëve të paharrueshëm me rekordet e thyera, raporton Anadolu Agency (AA).
Emri më i përfolur në stinorin e NBA-së ishte ylli i ekipit Oklahoma City Thunder, Russell Westbrook, i cili theu rekordet "triple-double".
Krahas tij, me rekorde në këtë stinor kanë spikatur edhe James Harden nga ekipi Houston Rockets, Lebron James nga Cleveland Cavaliers, Devin Booker i Phoenix Suns, ylli i Golden State Warriors Stephen Curry, si dhe basketbollisti legjendar i Dallas Mavericks, Dirk Nowitzki.
Westbrook theu rekordin e vjetër 55 vite
Rusell Westbrook ka thyer rekordin e vendosur para 55 vitesh nga Oscar Robertson. Westbrook ka regjistruar 42 "triple-double" brenda një sezoni, duke u bërë kështu basketbollisti që ka shënuar më së shumti këtë statistikë brenda një stinori.
Pas Robertsonit, Westbrook bëhet lojtari i dytë në histori të NBA-së që ka garantuar ta përfundojë stinorin me mesatare "triple-double".
Po ashtu, ylli i basketbollit ka fituar epitetin si basketbollisti i parë që ka thyer barazhin prej 100 pikësh, 30 kërcimesh dhe 30 asistimesh në tre ndeshjet e para të stinorit.
Harden me "triple-double" historik
James Harden i Houston Rockets, ka shënuar "triple-double" historik në ndeshjen në të cilën mposhtën ekipin New York Knicks me rezultatin 129-122, duke shënuar 53 pikë, 16 kërcime dhe 17 asistime.
Ai po ashtu u bë emri i parë në histori të NBA-së që ka shënuar "triple-double" me mbi 50 pikë, mbi 15 kërcime dhe mbi 15 asistime.
Booker, 70 pikë në moshë 20 vjeçare
Talenti i ri 20 vjeçar i Phoenix Suns, Devin Booker, ka hyrë në histori me 70 pikë të shënuara në ndeshjen kundër Boston Celtics, në të cilën u mundën me rezultatin 130-120.
Booker, i cili gjatë ndeshjes shënoi 11 treshe, shkroi emrin në historinë e NBA-së si basketbollisti më i ri që ka arritur barazhin prej 70 pikësh.
Në këtë mënyrë, ai gjithashtu arriti të radhitet i i gjashti në listën e basketbollistëve të NBA-së që kanë arritur këtë shifër, pas Wilt Chamberlain, Kobe Bryant, David Thompson, David Robinson dhe Elgin Baylor.
Rekord trepikësh nga Curry
Ylli i Golden State Warriors, Stephen Curry, theu rekordin me më së shumti trepikësh të shënuar brenda në një ndeshje të vetme, duke shënuar 13 herë nga tre pikë në ndeshjen në të cilën mposhtën ekipin New Orelans Pelicans me rezultatin 116-106.
Rekordin paraprakisht e mbanin Kobe Bryant dhe Donyel Marshall me nga 12 treshe të shënuara brenda një përballjeje.
Nowitski arrin barazhin prej 30 mijë pikësh në karrierë
Dirk Nowitzki, me pikët e shënuar në ndeshjen në të cilën Dallas Mavericks mposhtën Los Angeles Lakersin me rezultatin 122-111, arriti të bëhet basketbollisti i gjashtë që ka arritur barazhin prej 30 mijë pikëve në karrierë.
Basketbollisti gjerman Nowitzki, i cili stinorin e rregullt e përfundoi me 30.260 pikë, është në të njëjtën kohë basketbollisti evropian me më së shumti pikë në NBA.
Lebron James theu rekordin e Kobe Bryantit
Në përballjen në të cilën Cleveland Cavaliers mundën New York Knicksin me rezultatin 111-104, ylli i Cavaliersave la pas Kobe Bryantin, duke u bërë lojtari më i ri në historinë e NBA-së që ka kaluar rekordin prej 28 mijë pikëve në karrierë.
32 vjeçari James, i cili në karrierën e tij ka arritur të shënojë 28.787 pikë, me pikët e shënuara kundër ekipit Chicago Bulls të cilën e humbën me rezultatin 99-33, arriti të kalojë lojtarin legjendar të qendrës Shaquille O'Neal dhe të ngritet në vendin e shtatë në listën e basketbollistëve me më së shumti pikë të shënuara gjatë karrierës.