Fatih Erel
08 Shkurt 2025•Përditësim: 09 Shkurt 2025
Ndikimi i ndeshjes "Super Bowl", ku do të përcaktohet kampioni në Ligën Amerikane të Futbollit (NFL), për ekonominë e vendit pritet të arrijë në 500 milionë dollarë, raporton Anadolu.
Organizimi më i shikuar dhe më i madh i sportit në SHBA, që këtë vit do të mbahet për të 59-n herë, do të zhvillohet më 10 shkurt, e hënë, në orën 00:30, në Caesars Superdome në qytetin New Orleans të shtetit Louisiana.
Ndeshja në SHBA pritet të ndiqet nga më shumë se 100 milionë njerëz, ndërsa në stadium do të ndiqet nga 83 mijë persona.

Në këtë ndeshje, ku do të përcaktohet fituesi i Kupës Lombardi, do të përballen fituesi i Konferencës Amerikane të Futbollit (AFC) Kansas City Chiefs dhe kampioni i Konferencës Kombëtare të Futbollit (NFC) Philadelphia Eagles.
- Ndikimi ekonomik 500 milionë dollarë
Ndikimi ekonomik i vlerësuar i Super Bowl pritet të jetë 500 milionë dollarë.
Përveç të ardhurave nga transmetimi, që përfshijnë të ardhura nga korporata televizive me të drejta transmetimi vendor dhe ndërkombëtar, ky aktivitet sportiv do të ndikojë ekonomikisht në shumë kategori, përfshirë të ardhurat nga marketingu dhe reklamat, si dhe të ardhurat nga biletat e stadiumit, shitjet e fanellave, si dhe ushqimet dhe pijet.
Kostoja mesatare e një bilete para Super Bowl ka arritur në 11.000 dollarë. Kjo do të thotë një rritje prej 17 për qind në çmimet e biletave krahasuar me vitin 2024.
Çmimi mesatar i një bilete gjatë pesë viteve të fundit është 7.584 dollarë. Ndërkaq, shuma më e lartë e paguar ndonjëherë për vetëm një biletë ishte 45.000 dollarë.
- Një mbrëmje sportive "e pashëndetshme" në SHBA
Nata e Super Bowl-it është dita e dytë ku konsumohet më së shumti ushqimi në SHBA, pas Ditës së Falënderimeve.
Thuhet se më shumë se 100 milionë amerikanë që pritet të ndjekin ndeshjen do të konsumojnë mesatarisht 6.000 kalori nga produktet ushqimore të shpejta në ditën e ndeshjes. Me fjalë të tjera, ata do të konsumojnë afërsisht dyfishin e sasisë së ushqimit që do të konsumonte një person i shëndetshëm. Në natën e Super Bowl-it pritet të konsumohen 5.000 tonë patatina.
Në këtë aspekt, Super Bowl shihet edhe si një organizim sportiv jo i shëndetshëm për audiencën.
- Kohëzgjatja totale e reklamave është 43 minuta e 45 sekonda
Në sondazhe, 17 për qind e shikuesve thonë se reklamat janë pjesa më e mirë e ngjarjes.
Kostoja e një reklame prej 30 sekondash që do të transmetohet gjatë Super Bowl-it të këtij viti është 7 milionë dollarë.
Gjithashtu, kohëzgjatja totale e reklamave do të jetë 43 minuta e 45 sekonda.